Irena ka ardhur në “Ka Një Mesazh Për Ty” për të surprizuar motrën e saj, Lidën. Ajo nisi të tregonte në rubrikën e së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan sesi motra i është gjendur pranë kur vendosi të linte Korçën e të vinte në Tiranë me fëmijët duke u munduar t’i ndihmonte me ç’të mundte.

Irena kujtoi momentet me vështirësi ekonomike, përpjekjet për të paguar qiranë, shpenzimet dhe të kujdesej për fëmijët me një pagë fare të vogël por motra e shtynte të mos dorëzohej. Fatmirësisht, gjërat nisën të ndryshonin kur bashkëshorti u kthye nga emigrimi dhe të  gjithë në shtëpi punonin. Këtë qetësi do ta prishte një aksident i frikshëm i vajzës së saj.

Irena: Mbaroi shkollën goca dhe filloi punë në një kompani ajrore në Oman, stjuardesë. Duke qenë në një fluturim në Indi o Ardit, ajo ra nga shkallët e avionit, nga një lartësi prej 8-9 metrash sa ishte dhe theu vertebrën në Indi. Duhej të shkonim ne, njëri nga prindërit që të firmosnim për të hyrë vajza në operacion. Shkova unë me djalin se edhe gjuhën nuk dija të komunikoja dot në anglisht, me djalin kemi shkuar të dy. Kemi ndenjur një muaj, goca u rehabilitua, u shërua dhe tani është shumë mirë.

Ardit Gjebrea: Ku jeton tani?

Irena: Ajo jeton në Londër, bëri masterin në Londër dhe atje e mbajtën në një punë. Punon në një kompani energjitike, është martuar me një çun dhe ka krijuar familjen e saj të bukur./tvklan.al