Universitetet publike nisin garën për zgjedhjen e drejtuesve të rinj. Në Universitetin e Tiranës në garën për rektor do të jetë vetëm Artan Hoxha i cili po garon për një mandat të dytë. Sipas tij mungesa e rivalit  nuk do të thotë më pak përgjegjësi.

Artan Hoxha, rektor i Universitetit të Tiranës: Unë mendoj se është fryma e një katërvjeçari të mirë për Universitetin e Tiranës, besimi që kanë strukturat tek besimi aktual dhe që mua më shumë ma rrisin përgjegjësinë se sa ma ulin, duke qenë i vetëm.

Ai foli dhe për sfidat e arsimit të lartë.

Artan Hoxha, rektor i Universitetit të Tiranës: Një nga sfidat tona që kemi është të mbajmë nivelin e studentëve që kemi në numër edhe në cilësi, sepse cilësia është e garantuar tek ne, se në programet tona vijën studentët më të mirë, por veç kësaj për ta bërë këtë ne duhet që të rrisim ndërkombëtarizimin e universitetit, të rrisim programet në gjuhë të huaj, të rrisim programet e përbashkëta të studimit me universitete të tjera.

Sipas rektorit Hoxha profilizimi i universiteteve është i domosdoshëm pasi Shqipërisë nuk i nevojiten 14 universitete publike.

Artan Hoxha, rektor i Universitetit të Tiranës: Shqipëria sot ka 42 institucione të arsimit të lartë nga të cilat 14 janë institucione publike që për mendimin tim është një numër shumë i lartë i institucioneve të arsimit të lartë që nuk përputhet me nevojën që ka vendi dhe që nuk përputhet me specializimin dhe me profilizimin e institucioneve në programe në të cilat ato janë të afta të krijojnë një brez të ri të studiuesish.

Drejtuesit e universiteteve dhe fakulteteve mund të kandidojnë për një mandat të dytë me përjashtim  të atyre që kanë plotësuar dy mandate. Zgjedhjet në universitet do të mbahen më 21 qershor 2024. Këtë të hënë Universiteti i Tiranës akordoi tituj akademik profesor dhe profesor i asociuar për 64 pedagogë, një hap i rëndësishëm për ngritjen e standardit të stafit akademik të këtij universiteti.

Klan News