#EDielaShqiptare nga #ArditGjebrea prej vitit 2008 në #TvKlan, programi më popullor në të gjitha familjet shqiptare çdo të dielë. Një program i cili përfshin një fashë orari maratonë, prej 6 orësh transmetim. #edielashqiptare #arditgjebrea #program #osmanstafa #gencgjevori #mesues #shkolle #mesim #ndikim

Nga nxënësi i 5-ës te gazetari që njohim sot, mësuesi që i ndryshoi jetën Osman Stafës

Vite më parë, ai ishte një nxënës i notës 5 që nuk e ngrinte dorën gjatë mësimit, ndërsa sot ka fituar çmimin e dytë për gazetarinë investigative nga Bashkimi Europian, është zgjedhur si “Reporteri i vitit” dhe ngre kauza të rëndësishme.

Bëhet fjalë për Osman Stafën, gazetarin e njohur që sot ka ardhur në “Ka Një Mesazh Për Ty” për të ndarë historinë se si ia doli që të ndiqte profesionin me të cilin e njohim sot. Rrëfimin e tij në rubrikën e së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan ai e nis duke u kthyer në bankat e shkollës filore, kohë kur nga një nxënës shumë i mirë, krejt papritur në klasë të pestë pëson një rënie të thellë në mësime që do ta ndryshonte një mësues i ri.


Osman Stafa: Në shkollën tonë vjen një mësues i Histori-Gjeografisë, Genci Gjevori dhe këtu nisi ndryshimi i asaj rrugës që unë kisha marrë ose të dal nga ai rrethimi që unë e kisha futur veten, nxënës jo i mirë, pra nxënës që ishte thjesht për të kaluar. Nisi nga Historia. Profesori kishte një metodë të veçantë për të shpjeguar mësimin në klasë, kishte një formë të bukur të të thënit gjërat paçka se e kishte filluar shkollën e tij 36 vjeç për shkak se ka qenë i persekutuar në kohën e komunizmit dhe 40 e më tej ai ka filluar të jetë mësimdhënës. Profesori nuk na bënte një lloj mësimi të të mësuarit përmendësh, ai tradicionali që ti do të vish në klasë, do të thuash mësimin dhe në fund fare s’mban mend asgjë se e ke mësuar përmendësh, por kishte metodën e tij që gjërat t’i mësonim në mënyrë kronologjike dhe 2-3 gjëra për mësim  më të rëndësishme që ai na i pyeste në mënyrë të përhershme dhe ishin gjëra që edhe sot e kësaj dite unë ato gjërat e historisë, Shqipërisë, vendit tim i kam prej tij. Për t’iu rikthyer momentit kur unë fillova ta cilësoja veten te nxënësit  e mirë, profesori në klasën e gjashtë na jepte Histori dhe në fillimet fare, vetëm një “shumë mirë”,  “shkëlqyer” sesi e the, ishin një lloj shtyse mjaft e madhe tek ajo brendia ime që gjithmonë e kisha cilësuar veten që ti mund të japësh më shumë, ishte një ndihmesë që mua më çoi drejt idesë që shiko se ti mund t’ia dalësh  edhe te lëndët e tjera. Në këtë formë, profesor Genci nisi që jo vetëm mua, por gjithë klasës që ishim, filloi të nxiste një lloj elementi komplet ndryshe të të pyeturit dhe të përgjigjurit që ai e vlerësonte.

Kjo i ra në sy edhe mësuesve të tjerë që vinin re ndryshimin e Osmanit në lëndët e profesor Gencit, ndërsa ky i fundit u kërkonte që t’i jepnin një mundësi për të treguar veten. Profesori ishte ai që kuptoi se cila ishte prirja e vërtetë e nxënësit të tij që më vonë edhe u reflektua në jetën e gazetarit.

Osman Stafa: Filloi që profesori moment pas momenti na jepte mundësinë saqë unë isha bërë më i miri i  klasës, tani profesori do të vijë pak më vonë ndoshta, nëse ka pranuar ftesën do ta konfirmojë këtë, por në momentin që unë thosha mësimin thoshte “ti do bëhesh gazetar”.

Ardit Gjebrea: Vërtet?

Osman Stafa: Ka qenë momenti i parë që unë kam mësuar sepse po t’i pyesje të gjithë të klasës time  thoshin “do bëhem doktor”, kjo na ishte thënë nga familjarët, “do bëhemi doktor, doktor”, ndërkohë unë për herë të parë nisa të ushqeja veten time si gazetar sepse po më pëlqente. Nëse deri në klasë të gjashtë unë isha në shtëpinë time bashkë me vëllain që në orën 07:30 kur ishin lajmet  ne luftonim për të parë Gokun se në atë orë ishte edhe Goku, pjesa tjetër e familjes ishte për lajmet, unë kalova te lajmet dhe hyra në sherr edhe me vëllain, por e kam kaluar atë. Fillova ta projektoja veten time si një gazetar duke parë atëherë gazetarët e kohës, raportimet, fillova të  ndiqja politikën shumë sepse po më ngacmonte si fushë.

Humbi babain në moshën 15-vjeçare, Osman Stafa kujton përjetimin e dhimbshëm

Ndikimi i një mësuesi nuk shtrihet vetëm përgjatë viteve të shkollës, por edhe përtej tyre. Gazetari Osman Stafa i cili ka ardhur në “Ka Një Mesazh Për Ty” për të ndarë me rubrikën e së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan historinë që e bëri të ndiqte këtë profesion, e shpjegon më së miri këtë.

Ai tregoi sesi nga një nxënës i mirë gjatë shkollës fillore, kaloi tek ata që cilësohen “të dobët” në klasë të pestë dhe vetëm një vit më vonë do të pësonte ndryshimin drastik. Mësuesi i ri i shkollës, Genc Gjevori do t’i jepte shtysën që të formësohej si nxënës e që më vonë do të pasqyrohej edhe te njeriu e gazetari që ishte. Ndryshimin Osmani e përshkruan duke kujtuar një episod të dhimbshëm të jetës.


Osman Stafa: Goditja ime më e madhe me atë që quhet pjesën emocionale apo me jetën, ka qenë humbja e tim ati kur kam qenë në klasën e tetë…

Ardit Gjebrea: E paske humbur shumë shpejt.

Osman Stafa: Kam qenë 15 vjeç dhe m’u desh që të mendoja të kujdesesha edhe për vëllain apo motrën që i kisha më të vegjël, edhe për time më dhe tek unë ka rënë gjithmonë përgjegjësia që unë patjetër duhet të shkëlqeja në shkollë, në profesionin sepse duhet të kujdesesha për ta. Gjithmonë e mendoj që nëse nuk do të kisha qenë ky nxënësi i mirë, ndoshta punën e të kujdesurit për familjarët e mi nuk do ta kisha kryer aq mirë, nuk e di se çfarë do të kishte ndodhur sepse nuk mund ta parashikoj, kjo është me “nëse”, por teksa lexoj të shkuarën dhe atë se çfarë unë kam kaluar, po, e them me siguri që ajo se çfarë ka bërë ky individ që erdhi në fillim të klasës së gjashtë në shkollën tonë, më ndryshoi mua totalisht mënyrën e të konceptuarit, të të reaguarit.

Është babai i Odeta Gjevorit, a e ka zbuluar mësues Genci kush e ka ftuar në ”Ka Një Mesazh Për Ty?”

Osman Stafa ka ftuar në “Ka Një Mesazh Për Ty” nga “E Diela Shqiptare”, mësuesin e tij të Histori-Gjeogafisë gjatë shkollës 8-vjeçare, Genci Gjevorin. Nëse mbiemri ju thotë diçka, mësuesi është babai i gazetares së njohur të emisionit investigativ “Stop” në Tv Klan, Odeta Gjevorit.

Pas transmetimit të insertit të ftesës kundrejt profesorit, Osmani shpjegoi se mësuesi e ka pyetur edhe gazetarin se mos është ai personi që i ka bërë surprizën, por ai është kujdesur që të mbulojë çdo gjurmë. Genci shprehet se nuk dyshon as te vajza e tij, Odeta.


Ardit Gjebrea: Pyetja ime menjëherë e parë ishte: e keni zbuluar kush ju ka ftuar se ju e keni spiunin brenda?

Genc Gjevori: Po, një nga tre vajzat që kam është Odeta, është gazetare.

Ardit Gjebrea: Që punon këtu.

Genc Gjevori: Te emisioni “Stop”, por Odeta nuk është e tipit të këtyre surprizave.

Ardit Gjebrea: Por edhe mund të kishte pyetur kolegët apo koleget.

Genc Gjevori: E pyeta, tani më shoqëroi deri te dhoma e grimit, më pruri, tha “kam një intervistë” ku  di unë, me ato punët e veta dhe më la aty te dhoma e grimit dhe unë tani… nuk besoj.

Ardit Gjebrea: A thua të jetë këtu mbrapa?

Genc Gjevori: Nuk besoj të jetë Odeta.

Ardit Gjebrea: Nuk beson?

Genc Gjevori: Jo.

Ardit Gjebrea: E shohim bashkë.

Ekrani përpara mësues Gencit hapet dhe shfaqet imazhi i ish-nxënësit të tij, gazetarit Osman Stafa.

Genc Gjevori: Ky është Osmani. Nuk e kam menduar që do të ishte, madje unë bëra ato pyetjet e mia, ku nuk më ka shkuar mendja, në Dubai, në Kanada ku i kemi të gjithë njerëzit tanë dhe përpara 3-4 ditësh, me sinqeritet, po të më shikoni telefonin, i kam çuar një mesazh te ËhatsApp-i dhe te Messenger-i, “po ç’lidhje kam unë?”, tha dhe më ka bërë nja 2-3 pikëpyetje aty te mesazhi që të them të drejtën, sikur u largova një çikë.

“Çdo gjë nisi nga ti”, Osman Stafa falenderon mësuesin që e nxiti të bëhej gazetar: Ta kam ndier vlerën

Mesazhet e mirënjohjes nuk mungojnë kurrë në “Ka Një Mesazh Për Ty”, por ajo që i bën më të bukura është historia pas tyre. Këtë herë, pjesë e rubrikës të së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan ishte gazetari Osman Stafa në një rrëfim sesi profesori i Histori-Gjeografisë në klasë të gjashtë i tregoi se kishte më shumë potencial sesa notat në regjistër.

Gazetari kujtoi ndihmën e mësues Genc Gjevorit, i cili është babai i gazetares së emisionit “Stop”, Odeta Gjevorit, udhëzimet e tij dhe ndikimin që pati në zgjedhjen e mëvonshme të profesionit të gazetarisë. Mesazhin Osmani e përmbyll edhe me pak nota humori që marrin një shikim paksa ‘qortues’ nga profesor Genci.


Osman Stafa: Profesor Genci, momentin që vendosa të bëj këtë mesazh, të të falenderoj publikisht dhe të shpreh mirënjohjen time maksimale, jam ndeshur me një thënie ku “vlera e mësuesit dhe pesha e qiellit s’mund të maten kurrë”. Të dytën, nuk ia di peshën, por të parës ia kam ndier vlerën. Doja të të falenderoja paçka se në momentin tim që e kam konsideruar veten një nxënës i dobët, fatmirësisht të çoi Zoti në shkollën tonë sepse ishe pikënisja ime për të qenë një njeri që jam sot. Është e vërtetë që ti ke dalë vitin e kaluar në pension, nuk kam dashur të të ngacmoj në këtë pjesë sepse e di që nuk është fort ndjesi e mirë t’i dedikohesh gjithë jetën tënde arsimit, por dua të dish vetëm diçka, që si mësues ti ke bërë jo vetëm si punë këtë profesion, por e ke bërë si mision,  paçka se me ndikimin tënd unë vazhdoj sot të bëj një profesion që ti ma ke ngacmuar që më ke thënë në klasën e gjashtë që do të bëhem gazetar, ta bëj si mision sot kështu që unë të falenderoj dhe mësuesit si ti mos u shterofshin kurrë dhe besoj fort që edhe shokët e shoqet e klasës që kemi qenë së bashku kanë këtë mendim dhe janë me mua sot teksa unë të bëj këtë mesazh publik falenderues, por e kisha më shumë personal sepse gjatë gjithë rrugëtimit tim e kam kthyer pas kokën për të thënë ku e nisa unë dhe gjithmonë më nis çdo gjë te profesor Genci, i cili një mësues i Historisë na nxiti si me mësimet e Historisë, mënyrën sesi duhet t’i shikonim gjërat për të qenë qytetarë të mirë dhe ti këtë detyrë që e ka mësuesi, e ke kryer më së miri, të falenderoj, të jam mirënjohës. Më fal, vetëm diçka, më fal që s’të kam lënë të flasësh shumë në orët e mësimit në atë kohë se i mbaj mend shumë mirë dhe tjetra, të kam bërë diçka. Duke qenë se më kishe dërguar te nxënësit e mirë, kisha turp njëherë, kisha ardhur pa përgatitur dhe kam ngritur dorën kot sepse nuk rrija dot pa ngritur dorën dhe më the “ule sepse e di që ke mësuar” kështu që…

Ardit Gjebrea: Rroftë sinqeriteti!

/tvklan.al