Të tronditur shprehen fqinjët e Behar Musakut, 82-vjeçarit, i cili këtë të diel plagosi me armë zjarri vajzën e tij 40-vjeçare dhe më pas u vetëvra. Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 15:15, në shtëpinë e familjes Musaku, në lagjen “18 Tetori”, të Lushnjes.

Për gazetaren Anila Sefa, fqinjët e të moshuarit nuk gjejnë dot një arsye të qenësishme për krimin e rëndë. 82-vjeçarin e përshkruajnë njeri të qetë, që kalonte shumë kohë me ta dhe pavarësisht moshës, ata mohojnë që ai të kishte probleme të shëndetit mendor.

“Njerëz të nderuar në lagje. Ka 3 fëmijë, dy djem dhe një vajzë. Vinte gjithmonë këtu nga ne. Deri tani nuk ka pasur probleme të shëndetit mendor, fare”, shprehet një prej fqinjëve.

“Nuk e dëgjuam krisma, vetëm kur erdhi ambulanca. Familje e qetë, të nderuar. Kanë rreth 40 vjet këtu”, shton ai më tej.

Një tjetër banore, e ulur krah fqinjëve thotë se ngjarja e ka prekur shumë.

“Vajza ishte e divorcuar, dy fëmijë ka dhe ajo. I njohim si njerëz të mirë, hyjmë-dalim. Jemi prekur shumë. Ndaj u ula këtu, s’po ngrihem dot, më dridhet trupi. Ai me ne rrinte më shumë. Nuk kishte shfaqur asgjë, as përshtypje me të vogël. Në shtëpi jetonte me të shoqen, çunat i ka të ndarë, ata në një kat këta në tjetrin”, shton ajo.

Shkaqet e kësaj ngjarjeje të rëndë nuk dihen ende. Policia, në njoftimin e saj për mediat thotë se shkak dyshohet se u bë një konflikt i çastit.

Ndërkohë, gazetarja Anila Sefa, mëson se divorci i 40-vjeçares, ndonëse sipas banorëve kishte ndodhur vite më parë, ishte një çështje që krijonte debate herë pas here në familje. Sipas gazetares, përpara se ta qëllonte me çifte, 82-vjeçari dyshohet t’i jetë drejtuar të bijës me fjalët: “Pse bredh?! Je pa burrë, mos ik lart e poshtë!”.

40-vjeçarja Rudina Musaku ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore dhe u transportua në Tiranë për ndihmë më të specializuar mjekësore.

Ajo është nënë e dy fëmijëve, të moshës 16 dhe 17 vjeç, të cilët qëndronin me shumë me babain e tyre. Rudina mësohet se prej 4 vitesh punon dhe jeton në Tiranë dhe këtë të diel kishte shkuar për vizitë në shtëpinë e prindërve.

Duke cituar burime nga policia, gazetarja Sefa thotë se ngjarja ndodhi në katin e dytë të shtëpisë, aty ku dhe jetonin bashkëshortët Musaku. Nëna e 40-vjeçares së bashku me vëllezërit mësohet se nuk ndodheshin aty në momentin e krimit./tvklan.al