Komisioni Shtetëror Zgjedhor në Maqedoninë e Veriut miratoi vendimin që të mërkurën më 22 Maj të ketë rivotime në gjashtë vendvotime në Njësinë e 5-të Zgjedhore dhe një në Njësinë e 6-të.

Rivotime do të ketë në dy vendvotime në Dollnen, dy në Krushevë dhe nga një në Ohër dhe Strugë. Rivotim do të ketë edhe në një vendvotim në Komunën e Zhelinës në Njësinë e 6-të Zgjedhore.

Seanca ishte thirrur gjatë ditës së sotme, pasi në KSHZ kishin mbërritur vendimet e Gjykatës Administrative, kurse anëtarët votuan pa prezencën e Nënkryetares së KSHZ-së, Ditmire Shehu.

Gjykata Administrative mbrëmë, i refuzoi si të pabaza të shtatë paditë e koalicionit Frontit Evropian. Këtë vendim të gjykatës e ka përshëndetur koalicioni VLEN.

“E përshëndesim vendimin e Gjykatës Administrative, e cila është në një vijë me vullnetin të cilin qytetarët e shprehën më 8 maj. Ky vendim dëshmon edhe njëherë se shpresa për qytetarët në vend po vjen, ndërsa manipulimet dhe krimi i këtij pushteti hibrid po bie”, thonë nga VLEN.

Ndryshe, në Njësinë e 6-të Zgjedhore, Fronti Evropian fitoi 9 deputetë, ndërsa VLEN – 7.

Me rivotimin në këto vendvotime cënohen dy mandate deputetësh për Frontin Evropian.

Në Njësinë e Pestë Zgjedhore cënohet deputeti i katërt në listë, Ismail Jahoskit i Frontit Evropian që mund t’i kalojë LSDM-së, kurse në Njësinë e 6-të Zgjedhore, vendi i Fatmire Isakut mund t’i takojë koalicionit VLEN./Klan Macedonia