Pesë prej personave të arrestuar nga megaoperacioni i SPAK që goditi 7 grupe kriminale, dolën sot për vlerësimin e masës së sigurisë para Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Gazetarja e Tv Klan, Bleona Metushi raportoi se para gjykatës dolën Emiljano Shullazi, Besjan Xhixha, Enver Diva, Gjergj Cukali dhe Albert Zaja.

GJKKO konfirmoi masën e sigurisë arrest në burg për 5 prej të akuzuarve.

Ndërkohë, ata ishin në paraburgim edhe para lëshimit të urdhër-arresteve të rinj, pasi janë nën hetim apo gjykim për krime të tjera të mëparshme.

Këta persona u zbuluan se kishin komunikime në aplikacionet e koduara me personazhe të tjerë të njohur të botës së krimit, edhe pse ishin në qeli.

SPAK i akuzon ata se janë të përfshirë në ngjarje kriminale përgjatë vitit 2020 në bashkëpunim me personazhe të tjerë, për organizime atentatesh.

Referuar dosjes së SPAK, gazetarja Bleona Metushi bëri të ditur se Emiljano Shullazi ka dhënë informacione nga brenda burgut për persona të tjerë të jashtëm në lidhje me lëvizjet e Durim Bamit, ndaj të cilit ishte përgatitur atentat në vitin 2020.  Edhe Albert Zaja është nën hetim për atentatin e mbetur në tentativë ndaj Durim Bamit.

Besjan Xhixha dhe Enver Diva të dy po hetohen pasi besohet se janë të përfshirë në atentatin me tritol ndaj Pren Gjini, Shtatorin e vitit 2020.

Kurse Gjergj Cukali dyshohet se është i përfshirë në një tentativë vrasje ndaj Elvis Gaçaj dhe Altin Gega në vitin.

Ndërkohë, një ditë më parë u lanë në burg 9 prej të arrestuave të tjerë gjatë megaoperacionit.

SPAK-u goditi 7 grupe kriminale dhe lëshoi 50 urdhër-arreste, nga të cilat 20 vetë u arrestusan, ndërsa 30 të tjerë janë shpallur në kërkim. Nga 20 të arrestuarit, 14 ishin në Shqipëri ndërsa 6 të tjerë u kapën në disa shtete të Europës.

Tv Klan