Policia e Tiranës ka zbuluar një skemë mashtrimi nga një qytetar. Bëhet fjalë për Kreshnik Drishti i cili ka marrë disa automjete me qira dhe më pas i ka shitur tek persona të tjerë.

Sipas burimeve, 37-vjeçari ka arritur që automjetet e marra me qira t’i shiste në mënyrë të rregullt duke kaluar edhe pranë zyrës noteriale.

Drishti kishte si shënjestër automjete luksoze, të cilat pas pak ditësh që i merrte me qira i shiste më pas. Ai është denoncuar në disa drejtori të ndryshme si në Tiranë, Fier dhe Durrës.

Shitja e automjeteve bëhej pranë zyrës së noteres Xhoana Omari dhe kontrata e shit-blerjes ishte e rregullt. Pasi noterja përpilonte kontratën, Drishti e merrte atë dhe e firmoste vetë jashtë zyrës me premtimin se do ia dërgonte pronarit të ligjshëm të firmoste.

Krimi ekonomik i Policisë së Tiranës ka marrë në pyetje noteren, e cila ka deklaruar se nuk e kishte idenë se kontratat e lëshuara prej saj ishin me firmë të falsifikuar. Ajo u justifikua duke thënë se me klientin e saj Kreshnik Drishti kishte kohë që bashkëpunonte dhe kishte besim tek ai.

Noterja po hetohet në gjendje të lirë nga policia, ndërsa Kreshnik Drishti dyshohet se është larguar jashtë vendit.

Klan News