#NëKurthinePiterPan | Talent-show me fëmijët “me të zgjuar”, gazetarët e të ardhmes dhe të ftuar speciale VIP. Një format “i ngrohtë”, i këndshëm, me shumë batuta humori, me fëmijë talente që nuk i keni parë kurrë më parë në TV shqiptare! Një gjë është e sigurtë: Ata nuk janë të turpshëm! Një format nga #VeraGrabocka & #AlketaVejsiu çdo të premte 21:00 në #TvKlan.

Jorida Tabaku

Jorida Tabaku dikur pedagogia e Alketa Vejsiut, takohen “Në Kurthin e Piter-Pan”, moderatorja: Më nxore jashtë se erdha vonë


Deputetja e Partisë Demokratike Jorida Tabaku ishte mbrëmjen e sotme e ftuar “Në Kurthin e Piter Pan” në Tv Klan, në një dalje të rrallë publike ku u rrëfye përballë gazetarëve të vegjël.

Jorida ka studiuar në Fakultetin Ekonomik në degën e Manaxhimit dhe përfundoi studimet Master në Mbretërinë e Bashkuar. Pak mund ta dinë, por më pas ajo u rikthye në Shqipëri për të vazhduar karrierën e saj në fushën e pedagogjisë pranë Universitetit të Tiranës, Fakulteti Ekonomik.

Gjatë asaj periudhe, në bankat e auditoreve ka qenë e ulur Alketa Vejsiu, e cila sonte qëndron përballë Joridës si moderatore.

Alketa Vejsiu: Zysha ime e preferuar e Fakultetit të Ekonomisë, që më bëre ta dua atë Universitet. Mbaj mend një herë erdha me vonesë dhe më nxore jashtë. Që atëherë nuk erdha më me vonesë.

Jorida Tabaku: Të paragjykova sepse punoje në televizion dhe thashë se nuk je korrekte. Ti erdhe pas meje dhe të nxora jashtë. Që atëherë ti ishte gjithnjë në bankë të parë dhe e nxore 10 lëndën.

Jorida Tabaku tregon dy gratë që vlerëson më shumë në politikë: Nga e djathta Majlinda Bregu, kurse nga e majta…


“Mua më pëlqen Majlinda Bregu nga e djathta, kurse nga e majta Eglantina Gjermeni për qetësinë që ka”, kështu është shprehur deputetja e PD-së, Jorida Tabaku, e ftuar mbrëmjen e sotme “Në Kurthin e Piter Pan” në Tv Klan.

Kian: Jorida, çfarë është politika?

Jorida Tabaku: Diskutojmë si t’i bëjmë shkollat më të mira, si të bëjmë parqe për të luajtur, të keni mundësi më të mira.

Kian: Kush ju bën më shumë për të qeshur? Dhe ti e kthen kokën apo bën detyrat?

Jorida Tabaku: Unë nuk e kthej kokën. Fokusohem vetëm te detyrat dhe gjërat që dua të bëj.

Kian: Po shoqja jote e ngushtë në politikë kush është?

Jorida Tabaku: Bisedoj dhe bashkëpunoj me të gjitha, por shoqet i kam jashtë politikës. Mua më pëlqen Majlinda Bregu nga e djathta, kurse nga e majta Eglantina Gjermeni për qetësinë që ka.

Jorida Tabaku flet për kritikat e bashkëshortit: E ka gjithmonë një mendim


Deri mbrëmjen e sotme deputetja e Partisë Demokratike Jorida Tabaku ka mbajtur një profil të ulët të jetës së saj personale.

Ajo nuk ka folur asnjëherë mbi jetën romantike e raportin me bashkëshortin, Sajmirin. E ftuar mbrëmjen e sotme “Në Kurthin e Piter-Pan” në Tv Klan, ajo zbuloi se ai është kritikuesi i saj më i madh.

Tristan: Të kritikon burri për gjërat që thua në Parlament?

Jorida Tabaku: Është kritikuesi im më i madh, më këshillon çfarë të bëj më mirë. Unë e dëgjoj sepse më ndihmon të përmirësohem. Kur flas, kur debatoj e ka gjithmonë një mendim.

Jorida Tabaku u tregon fëmijëve “Në Kurthin e Piter Pan” si ia vodhi zemrën bashkëshorti


Deputetja Jorida Tabaku ka mbajtur një profil të ulët të jetës së saj personale. Ajo është martuar përpara se të bëhej pjesë e politikës, me bankierin Sajmir Sallaku, me të cilin ka tre fëmijë: binjaket Arba dhe Iris dhe djalin Dren.

Ajo nuk ka folur asnjëherë mbi jetën romantike deri mbrëmjen e sotme kur u dorëzua përballë Piter Panistëve të vegjël në Tv Klan, duke treguar se si është njohur me partnerin.

Jordan: Po burri si ta mori ty zemrën ty, me çokollata?

Jorida Tabaku: Jo, ai nuk i ha ëmbëlsirat. Ma mori avash-avash. Ishte shoku im më i mirë dhe tani është edhe bashkëshorti im.

Jorida Tabaku tregon historinë interesante: Kur u bëra nënë bashkëshorti mori leje lindje 1 vit


Jorida Tabaku ka treguar mbrëmjen e sotmë “Në Kurthin e Pier Pan” në Tv Klan një histori shumë interesante.

Deputetja është nënë e tre fëmijëve, binjakeve Arba dhe Iris dhe djalit Dren.

Teksa foli për mëmësinë, ajo tregoi se kur u bë nënë për herë të parë, bashkëshorti i saj mori leje lindje dhe qëndroi me vajzat një vit pasi ajo u kthye në punë.

Sibora: Po kur u bëre mami për herë të parë e le punën ti?

Jorida: Vajzat lindën pak më parë. Duke qenë se ishin binjake, ziheshin te barku dhe lindën më herët seç duhet. Dhe unë qëndrova pak më gjatë me to. Kur u ktheva në punë qëndroi babai i tyre me to një vit, e mori ai lejen e lindjes.

Jorida Tabaku zbulon “Në Kurthin e Piter Pan” çështjen primare për të në politikë sot


Jorida Tabaku ishte mbrëmjen e sotme e ftuar “Në Kurthin e Piter Pan” në Tv Klan, ku foli për politikën, por mbi të gjithë për jetën personale. E gjendur përballë dhjetë gazetarëve të vegjël ajo rrëfeu shumë të pathëna për fëmijërinë, fëmijët, bashkëshortin e jo vetëm.

Ajo u pyet nga Alketa Vejsiu mbi çështjet që janë sot primare për të në politikë, duke veçuar largimin e të rinjve nga Shqipëria.

Jorida Tabaku: Kemi një sfidë shumë të madhe për rininë se po na largohen. Duhet të fokusohemi se si t’i mbajmë këtu, mos të na ikin. Asnjë nuk largohet nga vendi me dëshirë, jam e sigurt se të gjithë prindërit mërziten.

Lindja e parakohshme e vajzave të saj, Jorida Tabaku rrëfen për herë të parë periudhën e vështirë


Sot Jorida Tabaku është nënë e lumtur e binjakeve Arba dhe Iris, dhe djalit Dren.

Mirëpo, momenti i lindjes së binjakeve nuk ka qenë aspak i lehtë. Kjo pasi vajzat e saj kanë lindur prematurë, para kohe. Duke folur për këtë periudhë të vështirë, Jorida rrëfeu se si e përjetoi atë:

“Një moment që na ka forcuar së dyve, edhe mua, edhe Saimirin. Kur kthejmë kohëm pas themi se nuk ka si shëndeti.”

Jorida Tabaku për rolin e grave në politikën shqiptare: T’u jepet hapësirë jo si numra, por për përmbajtjen


Deputetja e Partisë Demokratike Jorida Tabaku ishte e ftuar mbrëmjen e sotme “Në Kurthin e Piter Pan” në Tv Klan, ku u rrëfye mbi jetën personale e atë profesionale. Mes të tjerash, ajo u ndal edhe te roli i grave shqiptare në politikë.

Alketa VejsiuCilat janë vlerat kryesore që i konsideron si të domosdosshme te një politikane që të marrë kreditet e merituara të elektoratit?

Jorida Tabaku: Është shumë e vështirë që në politikën shqiptare të jesh grua, të jesh nënë dhe t’ia dalësh. Nuk mund t’i bësh dot të gjitha mirë. Por, unë shpresoj që zonjava dhe grave t’u jepet më shumë hapësirë dhe të jenë atje jo si numra por për përmbajtjen se ka shumë zonja që vlejnë dhe janë jo vetëm kurajoze, por mund të bëjnë ndryshim të jashtëzakonshëm.

Kleansa Susaj

“A u mërzite që dole e treta”? Ja si u përgjigj finalistja e “X Factor Albania”, Kleansa Susaj


Ajo është padyshim një nga zbulimet e edicioni të pestë të “X Factor Albania” në Tv Klan.

Kleansa Susaj u rendit e treta në finalen e madhe të talent shoë, por padyshim është një nga talentet më premtuese të tregut shqiptar.

Sonte, Kleansa ishte e ftuar “Në Kurthin e Piter Pan” në Tv Klan, ku foli për eksperiencën e saj në “X-Factor”. E pyetur nëse u mërzit që doli e treta, Kleansa tha: “Jo, nuk u mërzita. Ishte një eksperiencë shumë e bukur. Të shkosh në finale nuk është diçka e vogël. Unë u mërzita që mbaroi dhe nuk do takoja aq shpesh konkurrentët dhe mentorët”.

Finalistja e “X Factor Albania”, Kleansa Susaj, rrëfen si u refuzua nga “Gjeniu i Vogël” vite më parë: Nuk u ndala


Një muaj më parë emri i saj u shkrua mes tre finalistëve të “X Factor Albania 5” në Tv Klan. Por, vite më parë, Kleansa Susaj konkurroi te “Gjeniu i Vogël”, ku nuk mori një përgjigje pozitive.

E pavarësisht kësaj, ajo tregoi sonte “Në Kurthin e Piter Pan” se nuk u dorëzua, punoi fort, provoi sërish dhe më në fund ia doli.

Elia: Ti ke fituar gjithmone ke fituar?

Kleansa: Jo, nuk fitoj gjithmonë. Kur realizohej “Gjeniu i Vogël” erdha në audicione. U përzgjodha mes 36 më të mirëve, por nuk kalova në finale. Gjithsesi, nuk u ndala dhe ja këtë vit arrita në finalen e X Factor. Kështu që, mos u dorëzoni kurrë për ëndrrat tuaja.

Kleansa Susaj tregon kush e zbuloi talentin e saj në muzikë


Kleansa Susaj ishte një nga zërat brilantë të këtij edicioni të “X Factor Albania”. Mes 16 finalistëve të netëve Live, ajo ia doli të arrinte deri në finalen e madhe.

Përballë fituesit Alis Kallaçi dhe finalistit tjetër Jetmir Kanani, Klensa u rendit e treta. Por, a u mërzit ajo nga rezultati?

E ftuar sonte “Në Kurthin e Piter Pan” në Tv Klan, Kleansa u pyet se kush e zbuloi talentin e saj.

Kleansa: Sigurisht që familja ime. Por, në 9-vjeçare mësuesja ime e muzikës.

Së shpejti nisin audicionet e “X Factor Albania 6″, finalistja Kleansa Susaj thirrje të rinjve: Mos e humbisni


Ajo është padyshim një nga zbulimet e edicioni të pestë të “X Factor Albania”. Kleansa Susaj u rendit e treta në finalen e madhe të talent-showt, por është një nga talentet më premtuese të tregut shqiptar.

Ajo ishte pjesë e skuadrës së “Vajzave” udhëhequr nga mentorja Elhaida Dani, duke dhuruar performanca për të mos u harruar.

Po ashtu, ajo ka qenë një nga konkurrentet më virale të këtij edicioni në mediat sociale duke rrëmbyer zemrat e gjithë bashkëmoshatareve, por jo vetëm.

Sonte, Kleansa ishte e ftuar “Në Kurthin e Piter-Pan” në Tv Klan, nga ku u bëri thirrje gjithë të rinjve të marrin pjesë në audicionet e “X Factor Albania 6” që nisin së shpejti.

“Duhet të vini në X Factor sepse provoni veten. Është një eksperiencë që ju mëson shumë pavarësisht nëse kaloni a jo. E nëse kaloni, do jetë eksperienca më e bukur e jetës suaj”.

/tvklan.al