#NëKurthinePiterPan | Talent-show me fëmijët “me të zgjuar”, gazetarët e të ardhmes dhe të ftuar speciale VIP. Një format “i ngrohtë”, i këndshëm, me shumë batuta humori, me fëmijë talente që nuk i keni parë kurrë më parë në TV shqiptare! Një gjë është e sigurtë: Ata nuk janë të turpshëm! Një format nga #VeraGrabocka & #AlketaVejsiu çdo të premte 21:00 në #TvKlan.

“Poezi delikate”, Rajmonda Bulku tregon si i vinin komplimentet nga fansat e çmendur

Komplimentet e fansave për yllin e kinematografisë shqiptare, Rajmonda Bulku, vinin përmes letrave e poezisë së shkurtër, delikate e me etikë. E ftuar në emisionin “Në Kurthin e Piter Pan” në Tv Klan, aktorja Bulku ka thënë se i pëlqenin komplimentet pasi e ndjente se kishte bërë një punë që kishte lënë gjurmë.

Alketa Vejsiu: Cili është një film që ke ndjerë celebrimin e suksesit në mënyrë shumë prezente dhe që ndjeve që të gjithë të adhuronin për rolin që kishe? Apo ndonjë shfaqje teatrale ku mban mend ndonjë episod fansi të çmenduar. A ka pasur fansa të çmendur atëherë apo ishin më të përmbajtur sepse sistemi i disiplinonte?

Rajmonda Bulku: Ishin më të përmbajtur, por edhe të falenderonin shumë sepse e shikonin nëpër kinema filmin shqiptar.

Alketa Vejsiu: Si arrinin komplimentet e fansave tek ju? Nëpërmjet letrave?

Rajmonda Bulku: Ndonjë poezi e shkurtër dhe mund të vinte, delikate dhe me etikë. Nuk ishin kurrë të drejtpërdrejta. Ishte bukur sepse e ndjeje në fund të fundit që kishe bërë një punë që kishte lënë një gjurmë dhe është ajo që të bën përshtypje dhe të pëlqen.

“Ulja kokën kur më komplimentonin”, aktorja Rajmonda Bulku reflekton: Kam bërë gabim

Aktorja Rajmonda Bulku ka qenë e ftuar “Në Kurthin e Piter Pan” në Tv Klan këtë të hënë, për t’ju përgjigjur pyetjeve të vogëlushëve.

E vogla Zholi e pyeti nëse e komplimentonin djemtë për sytë e bukura.

Aktorja e pohoi diçka të tillë, por u shpreh se koplimentet për sytë ishin aq të shpeshta sa e vendosnin në siklet dhe ulte kokën vazhdimisht. Por sot pranon se kjo ndrojtje ishte e gabuar.

“Edhe të mëdhenjtë, edhe tetat, edhe xhaxhët, nganjëherë më mërzisnin dhe unë ulja kokën. Por më zgjati shumë kjo dhe kam bërë gabim që kam ulur kokën. Njeriu duhet të rrijë drejt edhe kur ka gjëra të bukura në portret, edhe kur është e bukur. Ti do jesh gjithmonë krenare për bukurinë tënde”, tha Rajmonda Bulku.

Puthja e famshme mes Rajmonda Bulkut e Timo Fllokos, Vejsiu: Mendo ta kishte xhiruar Vera Grabocka!

“Vdekja e kalit”, filmi i xhiruar menjëherë pas rënies së sistemit u dërgua për në Festivalin e Kanës prej të cilit u refuzua sepse nuk plotësonte kriteret teknike. Megjithatë, kjo nuk e zbehu vlerën e tij si një prodhim modern, dramatik dhe shumë i arrirë artistikisht, duke iu kundërvënë sistemit menjëherë.

Aktorja Rajmonda Bulku, e ftuar këtë mbrëmje “Në kurthin e Piter Pan” në Tv Klan, përshkruan skenën e puthjes me Timo Fllokon që do të ishte konsideruar “shfaqje e huaj”, por u prit ndryshe nga publiku.

Rajmonda Bulku: Ishte shumë shpejt, ishte ’93-shi që as ne nuk ishim të përgatitur, absolutisht.

Alketa Vejsiu: Hase paragjykimet e publikut? Kush ishte kostoja që paguat për këtë?

Rajmonda Bulku: Çuditërisht nga që  filmi ishte shumë dramatik dhe shumë i vërtetë nuk reaguan ashtu siç mund të kenë bërë për “Duaje emrin tënd” në vitet ’80 që u tërbuan të gjithë, iu duk film ekstravagant, modern. Ndërsa për “Vdekjen e kalit”, qoftë edhe për atë skenë që ishte më shumë sesa një puthje sepse në këtë çift se u bindëm edhe ne aktorët, nëse nuk do të ishte një dashuri e madhe s’ka sesi vuajtja e partnerit, e burrit tim në film apo e Timo Fllokos si aktor nuk do të shkonte në atë ekstremin e dhimbjes sepse një dashuri e madhe është shumë e tmerrshme kur ndahet për arsye politike.

Alketa Vejsiu: Mendo ta kishte xhiruar atë skenë Vera Grabocka, atë puthje të famshme, si do kishte dalë!

“Zonja nga qyteti” i bashkoi në jetë, Bulku për “Teta Ogën”: Më tha bija ime deri në momentet e fundit

Filmi “Zonja nga qyteti” jo vetëm që i bashkoi në karrierë, por edhe në jetën personale. Bëhet fjalë për Violeta Manushin dhe Rajmonda Bulku, 2 yjet që dhuruan shumë emocione dhe të qeshura përmes aktrimit të tyre në filmin shqiptar shumë të dashur për publikun.

E ftuar në emisionin “Në Kurthin e Piter Pan” në Tv Klan, aktorja Rajmonda Bulku ka rrëfyer me detaje marrëdhënien me Violeta Manushin për të cilën ka thënë se ishte si ajo e nënës me të bijën.

Alketa Vejsiu: Çfarë mban mend nga “Zonja nga qyteti”? Ke pasur një raport shumë të afër me Violeta Manushin.

Rajmonda Bulku: Që natën e parë, ishte vërtetë filmi i dytë, por sidoqoftë ishte një rol më kryesor se sa tek “Dimri i fundit” dhe Violetës me siguri i thanë që kjo është një vajzë gjimnaziste… Violeta më ftoi në dhomë dhe që natën e parë kemi fjetur të dyja tek “Turizimi” i vjetër i Pogradecit dhe më thotë që “ti je bija ime” dhe mbetëm kështu deri në fund. Fjala “bija ime” ishte deri në momentet e fundit, i kemi thënë njëra-tjetrës që të dua shumë vërtetë dhe unë i kam thënë që të dua shumë.

Alketa Vejsiu: Deri në momentin e fundit kur ajo u shua ke qenë pranë saj.

Rajmonda Bulku: Deri në momentin e fundit kur ishte në spital kam qenë pranë saj. E dija që ajo grua ishte një mrekulli, një karakter shumë i bukur, një artiste e jashtëzakonshme dhe isha krenare që e kisha mike të vërtetë. Në dasmën time ka qenë e ftuar në tavolinë dhe automatikisht si grua e zgjuar tha “tani unë jam nëna e tretë” se erdhi vjehrra.

“Në krahët e tij fluturoja”, Rajmonda Bulku ndan kujtimet si “goca e babit”

Pyetjet e gazetarëve të vegjël të programit më të dashur, “Në kurthin e Piter Pan” në Tv Klan zbuluan pak më shumë rreth së ftuarës së mbrëmjes, Rajmonda Bulkut. Pyetja e Elias e ktheu aktoren në kujtimet e fëmijërisë me të atin, lidhjen e veçantë dhe mësimet e tij.

Elia: Kur ke qenë e vogël, kush gocë ke qenë, e babit apo e mamit?

Rajmonda Bulku: Kam qenë goca e babit gjithmonë. Mamit i kam thënë ti mos u zemëro, por ajo nuk zemërohej, e dinte që babi më donte shumë, jo më shumë sesa mami por e tregonte më shumë sesa mami. Ndërsa mami ka edhe ca rregulla në shtëpi që të ul në tavolinë për t’u ushqyer ose për të larë duart ose për të shkuar në shtrat herët, për të fjetur ndërsa babi vetëm të përkëdhelte dhe të mësonte gjëra të mrekullueshme. Për shembull, mbaj mend një gjë shumë të bukur që edhe ju mund ta keni në jetën tuaj. Kur kam qenë pak më e rritur sesa ju, më pëlqente shumë që kërceja me babin dhe më ka mësuar të  kërcej vals apo tango dhe dukesha sikur fluturoja në krahët e tij, nuk e harroj këtë emocion. Baballarët janë shumë të mirë kur janë njerëz me vlera dhe me shumë kulturë. Ashtu ishte babi im. Shumë i veçantë.

Alketa Vejsiu: Çfarë s’do jepnim për një vallëzim!

Rajmonda Bulku: Çfarë s’do jepja për një vallëzim! Do të më mungojë shumë sepse vërtet, edhe kur kërceja me të, vonë, kur festonim ditëlindjet, në krahët e tij ndihesha e lirë, te njeriu më i dashur në botë.

Bulku ndau edhe disa kujtime të gdhendura me portretin e së ëmës.

“Për mamin dua të them që ka qenë një grua që kur gatuante, nga njëra anëmbante edhe librin ose bënte edhe triko shumë të bukura. Ajo është akoma një grua që rri vetëm, një grua e mrekullueshme, e bukur, e jashtëzakonshme dhe me shumë etiketë, por e përkëdhelur edhe ajo nga babi, nga ne, shumë e përkëdhelur”, rrëfeu aktorja.

“2 burra dolën nga një mikrobus”, Bulku rrëfen si nisi karriera në kinematografi: Më ftuan për foto

Historia e zbulimit të Rajmonda Bulkut si aktore është sa e bukur, aq edhe e veçantë. Ylli i kinematografisë shqiptare tregon se para shumë vitesh, 2 burra e kanë pikasur dhe e kanë ftuar për një fotografi në “Kinostudio”. E ftuar “Në Kurthin e Piter Pan” në Tv Klan, Bulku thotë se ra menjëherë dakord dhe ishte fillimi i karrierës së saj.

Alketa Vejsiu: Si të zbuluan, do të na e tregosh pak të lutem historinë se është histori shumë e bukur. Sot ka shumë agjentë kudo në botë që rekrutojnë vajza të bukura në muzikë, kinema, kudo. Çudi e madhe që 40 e ca vite më parë të pikasën dhe të ftuan për një set fotografik.

Rajmonda Bulku: Po, dhe ka qenë çudi dhe se si. Po dilja nga rruga ime, nga Myslym Shyri për tek Rruga e Kavajës dhe në trotuar për të kaluar në trotuarin e mesit të Rrugës së Kavajës, më ndalon një mikrobus bojëqielli dhe dalin 2 burra dhe më prezantohen dhe më thonë që “ndaluam sepse duam të bëjmë një fotografi për Kinostudio”. Kaq ishte. Nuk e di pse nuk hezitova, nuk e di pse me thjeshtësinë time brenda natyrës së mbyllur apo turpit, unë thashë “dakord”. Ai ishte një fillim, ishte një film i parë që fillova dhe nuk mbaroi asnjëherë.

45 vite martesë por është bërë disa herë nuse, Rajmonda Bulku: Ishte më bukur në film

“A e mban mend kur u bëre nuse për herë të parë?”, ishte pyetja paksa ‘pikante’ e Asjas, vogëlushes së programit të Tv Klan, ”Në kurthin e Piter Pan” për Rajmonda Bulkun. Ndonëse aktorja ka 45 vite martesë, në të vërtetë e ka veshur fustanin e bardhë disa herë për rolet në film. Madje kjo është arsyeja pse në ditën e dasmës nuk e ka shijuar dot vellon e bardhë.

Rajmonda Bulku: Nuse për herë të parë jam bërë në film të them të drejtën dhe për herë të dytë më duket jam bërë në film dhe isha veshur aq shumë me rroba të bardha sa kur erdhi dasma e vërtetë nuk kisha shumë dëshirë të vishesha sepse ishte më bukur në film.

Alketa Vejsiu: Me fustan klasik të bardhë, të fryrë, elegant? Si kanë qenë fustanet?

Rajmonda Bulku: Mezi e kemi gjetur, për të mos thënë që nuk ishte ndonjë gjë shumë e bukur, një copë e qepur dhe unë atë që mbaj mend bukur ishte e premtja që vesha një kostum popullor të Kosovës sepse gjyshja ime është nga Kosova dhe të premten kemi bërë një mbrëmje të jashtëzakonshme në oborrin e shtëpisë tonë në Tiranë dhe ajo ishte dasma për mua, ajo e premtja  me kostum popullor. Të nesërmen, të shtunë e të diel që u vesha me të bardha, nuk kisha kuriozitet fare.

Rajmonda Bulku rrëfen pengun më të madh si deputete e Kuvendit

“Premtuam se teatrot e rretheve do t’i çonim në kategorinë e parë dhe ky është pengu më i madh që ata janë në mëshirë të bashkive që kanë rroga mjerane dhe pensione të vogla.”

Ky ështe pengu që Rajmonda Bulku nuk ka arritur ta realizojë në mandatin e saj 4-vjeçar si deputete e parlamentit shqiptar. E ftuar në emisionin “Në Kurthin e Piter Pan” në Tv Klan, aktorja ka treguar me detaje rreth pervojës së saj si përfaqësuese e qytetarëve në Kuvend.

Rajmonda Bulku: Edhe pak në politikë kam qenë dhe në politikë është shumë bukur kur bën gjëra të mira dhe nuk e harron kurrë.

Alketa Vejsiu: Nuk e di si është për një artist kur ekspozohet në linjën e parë të luftës që duhet të bëjë për qytetarët në parlamentin e Shqipërisë. Ju keni qenë deputete për sa vite?

Rajmonda Bulku: 4 vite në një mandat. Nuk është herë-herë atmosferë e mirë sepse bëhet më shumë politikë nga se mund të bëhen ligje të mira dhe të shëndetshme nga i gjithë parlamenti. Në momentin që ti prek diçka nga ajo që ti je futur dhe njerëzit besojnë nga kjo që ti ke një shpirt ndyrshe dhe mund ta bësh këtë gjë.

Alketa Vejsiu: Cili ishte qëllimi i Rajmonda Bulkut gjatë këtyre 4 viteve? Mbase nuk arrite që t’i vije në jetë dëshirat e tua për artistët e sidomos për aktorët…

Rajmonda Bulku: Nuk e bëra dot dhe më vjen shumë keq sepse shumë gjëra që ishin aktivitete shumë të fuqishme, si buxheti i kinemasë, apo si një festivali famshëm i teatrit dhe ajo që është pengu më i madh është se premtuam se teatrot e rretheve do t’i çonim në kategorinë e parë dhe ky është pengu më i madh që ata janë në mëshirë të bashkive që kanë rroga mjerane dhe pensione të vogla.

/tvklan.al