Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanjahu ka refuzuar ultimatumin e dhënë nga ministri i tij i Luftës, Beni Gantz, i cili një ditë më parë paralajmëroi se do të japë dorëheqjen nëse qeveria nuk miraton deri më 8 Qershor një plan paslufte për Rripin e Gazës.

Duke iu përgjigjur fjalimit të Gantz, Netanyahu tha se përmbushja e kërkesave të tij do të çonte në humbjen e Izraelit.

“Kjo do të sillte fundin e luftës dhe një disfatë për Izraelin, braktisjen e shumicës së pengjeve, lënien e Hamasit të paprekur dhe krijimin e një shteti palestinez”, tha ai.

Ndërkohë që zyra e shtypit e Netanjahut në një deklaratë për mediat bëri të ditur se ai është i vendosur me çdo kusht të shkatërrojë Hamasin, të kundërshtojë hyrjen e Autoritetit Palestinez në Gaza dhe të refuzojë krijimin e një shteti palestinez që sipas tij do të bëhej në mënyrë të pashmangshme një parajsë terroriste.

Madje në deklaratë thuhet se nëse Izraeli pret vetëm një vit më shumë, ka një shans mjaft të lartë që Donald Trump të kthehet në Shtëpinë e Bardhë dhe të detyrojë sauditët të normalizojnë marrëdhëniet me Izraelin edhe pa një shtet palestinez.

Gantz nuk është i vetmi që ka dalë kundër Netanjahut për mënyrën sesi po e menaxhon luftën e Gaza, pasi pak ditë më parë edhe ministri i Mbrojtjes Yoav Gallant, i kërkoi Netanyahut të deklaronte publikisht se Izraeli nuk kishte plane për të marrë përsipër sundimin civil dhe ushtarak në enklavën palestineze.

Tv Klan