#Opinion | Emision politik live nga #BlendiFevziu në #TvKlan

Berat Buzhala, gazetari nga Kosova ka postuar një video në trajtë monologu ku flet për SPAK-un, të cilin e quan një problematikë për Shqipërinë sepse pretendon që korrupsioni është i paluftueshëm dhe se tradicionalisht, që nga koha e Ismail Qemalit ka patur akuza për korrupsion. Çfarë po ndodh me SPAK-un? Një analizë e politikës përtej saj: Sa është SPAK-u brenda shinave normale të respektimit të kodeve të drejtësisë dhe të të drejtave të njeriut?

Blendi Fevziu tregon skandalin me prokurorinë: I hapën telefonin, i morën gjërat personale dhe ja u dhanë gazetarëve

Drejtuesi i emisionit Opinion në Tv Klan, Blendi Fevziu, ka treguar një rast skandali në një Prokurori të vendit, se si për llogari të një hetimi, të dhënat personale në një telefon që kishin sekuestruar, ua kishin shpërndarë më pas gazetarëve.

“Dje më referuan një rast, nuk e di ta them nëse është në SPAK apo në Prokurorinë normale, këtë nuk e them dot, por më thanë që një telefon i hapur për arsye hetimi specifik, i janë marrë gjërat personale që kanë qenë dhe janë shpërndarë nëpër gazetarë. Nëse ndodh kjo dhe nëse ndodh që ky person kryen një gjë, një akt ndaj vetes, kjo pastaj e çon gjithë shoqërinë në një dramë. Siç ke të drejtën të hetosh, duhet të kesh dhe ruajtjen e sekretit hetimor”, u shpreh Blendi Fevziu.

Drejtuesi i Opinion theksoi se në lidhje me këtë rast është duke mësuar të tjera informacione se në cilën Prokuroria ka ndodhur ngjarja.

“Korrupsioni nuk zhduket vetëm me Dumanin”, Buzhala: Kush ka për ta qeverisur Shqipërinë kur të arrestohen të gjithë?

Berat Buzhala, gazetari nga Kosova ka postuar një video në trajtë monologu ku flet për SPAK-un dhe pretendon që korrupsioni është i paluftueshëm dhe se tradicionalisht, që nga koha e Ismail Qemalit ka patur akuza për korrupsion në Shqipëri.

I ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan, Buzhala thotë se e mbështet punën e SPAK, por nuk duhet të persekutohet individi, por të hetohet vepra e korrupsionit. Gjatë fjalës së tij, Buzhala thotë se momenti kur kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj është paraqitur në dyert e SPAK dhe aty e kanë pritur persona të cilët i janë drejtuar me fjalën “hajdut” është sipas tij, i shpifur dhe kjo psikozë e tillë dhe nuk i duhet shtetit shqiptar.

Berat Buzhala: Është një parim në drejtësi, nuk guxon me ndjekë personin dhe jo veprën. Problemi i SPAK është kur ndjek personin e persekuton, kur ti ndjek veprën… Persekutimi është kur dikush thotë po hetojmë Ilir Metën, nuk është ndjekje penale. Ti heton autostradën kush ka vjedhë dhe jo hajdemi futemi, Erion Veliajn e kemi nën hetime. Unë jam kundër Erion Veliajt, nuk e mbroj me asnjë kusht. Por edhe ajo pamje është e shpifur duke i bërtitur “hajn” prej distancës. Psikozë e tillë nuk e di pse i duhet shtetit shqiptar.

Blendi Fevziu: Teza e parë e juaja është se edhe njerëzit që nuk kanë bërë korrupsion të drejtpërdrejtë, ti thua askush nuk mund të dalë në Shqipëri që të thotë se i ka dhënë bakshish Berishës për një gjë e as Ramës, por sistemi poshtë tyre ka qenë.

Berat BuzhalaUnë nuk e paramendoj kurrë Berisha, “jepmi 15% për rrugë”. Kam biznesmenë të Kosovës që ju kanë dhënë lejet për resortet turistike, ata bëjnë be në kokën e Edi Ramës, “na priti mirë e nuk na kërkoi asgjë”. Unë e mbështes punën e SPAK dhe arrestimet, por jo psikozën. Kur unë fola për intervistën e Dumanit, është mirë që ai të përgjigjet. Po teprohet se vetëm 2 prokurorë nuk mund t’i hetojnë të gjithë.

Më tej, gazetari Buzhala thotë se korrupsioni në Shqipëri është i pandalshëm teksa shton se nuk zhduket vetëm me një njeri, me kreun e SPAK, Altin Dumanit.

Berat Buzhala: Korrupsioni është i pazhdukshëm, por mbahet nën kontroll sepse ideja që kemi për ta zhdukur korrupsionin me një akt, Altin Dumanin, nuk zhduket dhe nuk luftohet vetëm me një njeri. Këtu prej vëllait të Edi Ramës, djalit të Sali Berishës, Ilir Metës me familje dhe me vjehërr e me krejt kushërinjtë ku i ka dhe ku nuk i ka, krejt Kuvendi i Shqipërisë po hetohet nga Altin Dumani. A ka kapacitete ai njeri për të hetuar të gjithë këtë spektër? Kush ka për ta qeverisur Shqipërinë kur të arrestohen të gjithë këta njerëz? Asgjë nuk lind pa korrupsion. Faza e dytë pas korrupsionit është diktatura.

Përse u zhgënjye nga Lulzim Basha? Gazment Bardhi: U largova prej tij kur kuptova që…

Gazment Bardhi ishte krahu i djathtë i Lulzim Bashës kur ky i fundit drejtonte Partinë Demokratike. Ai qëndroi në krah të tij edhe kur nisi përçarja e madhe mes demokratëve.

Por më pas u largua nga Basha dhe sot nuk komunikojnë me njëri-tjetrin, teksa Bardhi është bashkuar me grupimin Berisha dhe drejton grupin parlamentar të Partisë Demokratike.

I ftuar në emisionin Opinion në Tv Klan, Gazment Bardhi ka treguar përse ndodhi çarja mes tij dhe Lulzim Bashës.

“Unë kam menduar një rrugë tjetër të mënyrës si do duhet të zgjidhej çështja e PD, kam luftuar gjithmonë për bashkimin e PD. Nuk llogaris dot që një parti e ndarë në 7 copa e mund Edi Ramën. Kam kuptuar që qëllimi i tij (i Lulzim Bashës) nuk është forcimi i PD, ishte të mbante të përçarë PD. Kjo bie ndesh me atë mirënjohje që unë kam ndaj sakrificës të secilit anëtar partie. Më thoni një gjë që ka bërë kundër qeverisë së Edi Ramës? Merret çdo ditë me sulmet ndaj Partisë Demokratike. Basha është rikthyer në një proces që unë e kam kontestuar. Kam besuar që beteja që ne nisëm në Shtator 2021 ishte për ta forcuar, dhe kam hequr dorë menjëherë, se unë nuk jam i verbër, kur pashë që partia po shuhej”, u shpreh Gazment Bardhi.

Akuzat ndaj Olsi Ramës/ Bardhi: Kam dorëzuar në SPAK një kallëzim ku kërkoj rihapjen e “Xibrakës”

“Kam dorëzuar një kallëzim ku kërkoj rihapjen e procedimit të pezulluar 335/1 të vitit 2016 që është dosja e Xibrakës”, kështu është shprehur kreu i grupit parlamentar Gazment Bardhi kur është pyetur nga gazetari Blendi Fevziu lidhur me akuzat që demokrati ka hedhur në drejtim të vëllait të kryeministrit, Olsi Rama.

Bardhi ka thënë se nuk është ai kallëzuesi i dosjes së “Xibrakës”, por policia dhe prokuroria e Hanoverit teksa ka nxjerrë për emisionin “Opinion” në Tv Klan edhe mandatin e postës për kërkesën që thotë se ka depozituar në SPAK.

Blendi Fevziu: Dua të ju pyes për një çështje që mbeti pezull nga emisioni i kaluar, ku ju keni qenë këtu për një denoncim për vëllain e kryeministrit. Thatë që do e çonit çështjen në SPAK. I jeni përgjigjur gazetarit Baton Haxhiu që ka qenë këtu duke i thënë që “menjëherë nesër do e çoj me postë”, ndërkohë që SPAK ka deklaruar se nuk ka asnjë kallëzim tuajin për Olsi Ramën.

Gazment Bardhi: Në fakt nuk ka një përgjigje të asaj natyre të SPAK. Atë që kam thënë, e kam bërë në datën 29, e kam konfirmimin nga SPAK që e kam marrë në dorëzim në datën 2 Prill.

Blendi Fevziu: A e ke këtë letër që ta nxjerr unë këtu?

Gazment BardhiPatjetër. Është me postë, nuk e kam me vete. Patjetër, do e sjell. Mund ta konfirmoni dhe me SPAK. Ajo që ka thënë SPAK nuk është se Gazment Bardhi nuk i është drejtuar SPAK-ut, ajo që thotë prokurori në vendim është që nuk ka një kallëzim të Gazment Bardhit të regjistruar në regjistrin e veprave penale. Ajo që kam thënë dhe kam bërë sepse interesi i Ramës dhe Ols Ramës do të ishte që unë të kërkoja nisjen e një procedimi të ri penal. Në fakt, ajo që kam bërë është që kam dorëzuar një kallëzim ku kërkoj rihapjen e procedimit të pezulluar 335/1 të vitit 2016 që është dosja e Xibrakës. Dokumenti është publik.

Blendi Fevziu: Pse SPAK pretendon që nuk ka një kallëzim nga ana juaj?

Gazment Bardhi: Ajo që SPAK ka pretenduar është që nuk ka një kallëzim të regjistruar në regjistrin e veprave penale që është faza paraprake për të hapur një kallëzim penal. Në çështjen e Xibrakës nuk është kallëzues Gazment Bardhi. Nuk e kam kallëzuar unë laboratorin e Xibrakës. Ky është mandati që është dorëzuar në postë. 29 Mars, e nesërmja e emisionit “Opinion”. Kam kërkuar rihapjen e procedimit 335/1. Nuk jam unë krijuesi i çështjes. Në rastin e Xibrakës nuk është Bardhi kallëzues, por policia dhe prokuroria e Hanoverit. Kam për detyrë që atë informacion që bëj publik në media, ta depozitoj në SPAK.

Thirrjet e Këlliçit për arrestimin e Veliajt, Bardhi: Nuk e ka pasur në kuadër të drejtësisë popullore

Opozita dhe Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit kanë protestuar para Bashkisë së Tiranës kundër kryebashkiakut Erion Veliaj ku nuk kanë munguar edhe hedhjet e molotovit dhe tymuese përpara godinës së Bashkisë.

I ftuar në studion e emisionit “Opinion” në Tv Klan, kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi mes të tjerash foli edhe lidhur me këtë situatë ku u ndal edhe tek thirrjet e deputetit Belind Këlliçi në drejtim të policisë për arrestimin e kryebashkiakut Erion Veliaj.

Bardhi theksoi se ajo fjali është thënë nga Këlliçi jo në kuadër të drejtësisë popullore, por si përgjigje ndaj punonjësit të policisë që iu kërkonte qytetarëve të respektonin ligjin.

Blendi Fevziu: Më bëri përshtypje gjatë protestës, ju keni qenë atje u munduat që njerëzit të mos ishin agresivë ndaj punonjësve të Policisë, dëgjova thirrjen që punonjësit e Policisë duhet të arrestojnë Erion Veliajn si person të korruptuar. Kjo është drejtësi popullore.

Gazment Bardhi: Kjo është retorikë politike padiskutim…

Blendi Fevziu: Kjo është reminishencë e drejtësisë popullore të gardistëve të kuq. Ti s’mund ti kërkosh as njerëzve dhe as Policisë të arrestoje një person që dyshohet se është i korruptuar.

Gazment Bardhi: Në atë moment që kolegu Këlliçi ka thënë këtë fjali që ju thoni sigurisht që nuk e ka pasur në kuadër të drejtësisë popullore, por një punonjës policie iu bënte thirrje qytetarëve që respektoni ligjin, zbatoni ligjin dhe parulla të kësaj natyre dhe për balancë sigurisht që zoti Këlliçi i kthente përgjigje punonjësit të Policisë që mos u merr me qytetarët që kanë dalë në betejë kundër korrupsionit, por arresto të korruptuarit duke nisur nga bashkia.

Blendi Fevziu: Të korruptuarin e përcakton gjykata këtu, por të arrestosh njerëz me dyshime në këtë vend nuk do të ngelte njeri…

Gazment Bardhi: Në cilësim ligjor padiskutim, por besoj ne të dy biem dakord që nuk mund të ndodh që 5 shokë të tu të bëjnë biznes me paratë e bashkisë së Tiranës dhe ti të mos kesh dijeni.

Blendi Fevziu: Padyshim këtë e diskutojmë sa të duash unë po flas për pjesën strikte. Por të tejkalosh dhe të shkosh në këtë që unë e quajta veprim prej gardistëve të kuq sepse unë e di shumë mirë nga historia se çfarë ndodh në raste të tilla kur ti ‘ndërsen’ njerëzit me një opinion qoftë edhe i vërtetë nëse ai nesër vërteteohet sepse deri sot jemi në kuadër të dyshimit.

Ndër të tjera Bardhi ka shprehur edhe gjykimin e tij për punën e SPAK.

Blendi Fevziu: Si e gjykoni punën e SPAK deri tani Bardhi dhe a ka ndarje brenda PD për qëndrimin ndaj SPAK?

Gazment BardhiSi çdo qytetar unë pres shumë më shumë nga SPAK. Janë disa çështje sensitive që në gjykimin tim duhej të ishin dhënë zgjidhje dhe të ishin përfunduar hetimet. Edhe kjo çështje është zvaritur, çështja e McGonigal është një tjetër, afëra korruptive e inceneratorit është copëzuar në gjykimin tim në mënyrë të padrejtë për të shmangur nga përgjegjësia zyrtarë të caktuar . Aferat në Shëndetësi do të duhej të kishin përfunduar, mirëpo unë nuk kritikoj ato punë që SPAK-u i ka arritur. Qëndrimi im në PD si qëndrim pakice, është që në parim unë e mbështes punën e SPAK, e nxis që të zbatoj ligjin dhe të veproj e pandikuar politikisht dhe sa herë të kem një kritikë konkrete do ta bëj publike.