#Opinion | Emision politik live nga #BlendiFevziu në #TvKlan

Fokus në Federatën Shqiptare të Futbollit në një intervistë me Armando Dukën. Presidenti i FSHF shoqëron Blendi Fevziun në ambientet, kthinat dhe vendet që nuk janë në objektivin e kamerës apo syrin e shikuesve brenda ndërtesës së sportit. Hyrje në depon ku ruhen fanellat dhe baza materiale e Kombëtares, fushat e futbollit ku stërvitet, zonën e brendshme, në mini-muzeun etj. Një intervistë me Armando Dukën për përfaqësimin e Shqipërisë në Euro 2024.

Mirëmbajtja e stadiumit/ Armand Duka: Kushton më shumë energjia elektrike, shpenzojmë deri në 40 mijë Euro

Mirëmbajtja e stadiumit “Air Albania” ka kosto të lartë, sidomos sa i përket konsumit të energjisë elektrike.

Kështu ka pohuar Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, i cili në një intervistë për emisionin Opinion në Tv Klan, është shprehur se ka konsum të lartë energjie për të rritur barin në ato pjesë të stadiumit ku nuk ka dritë.

Në muaj të caktuar, sipas Presidentit Duka, konsumi i energjisë shkon deri në 40 mijë Euro. Por Duka theksoi se këtë vit do të vendosin panele diellore për të reduktuar shpenzimet elektrike.

Blendi Fevziu: Stadiumin ju e administroni?

Armand Duka: Stadiumi administrohet nga ne, pjesa sportive.

Blendi Fevziu: Është i shtrenjtë?

Armand Duka: Menaxhimi i stadiumit kushton dhe gjëja që kushton më shumë është energjia elektrike në stadium.

Blendi Fevziu: Po pse nuk vendosni panele diellore?

Armand Duka: Do i vendosim tani. Nuk ka qenë e lehtë për arsye të legjislacionit shqiptar, tani është koha e përshtatshme që duhet t’i vendosim dhe këtë vit besoj se do t’i vemë.

Blendi Fevziu: Sa ju shkon mirëmbajtja e stadiumit? Pashë një makinë që më thanë që kushton ndoshta 400 mijë Euro.

Armand Duka: Ajo makina që është me ndriçues për rritjen e barit edhe me ventilator për ta ajrosur, bari ka kushtuar vërtetë shumë, por kosto më e madhe është shpenzimi i energjisë elektrike për të, sepse duke qenë stadium i mbyllur, sidomos kjo pjesa jugore nuk merr dritë dhe do ta mbash barin me dritë artificiale dhe ajo na kushton. Ka muaj që shpenzojmë dhe 40 mijë Euro energji elektrike.

Futbollistët që shkojnë drejt ekipeve të huaja, Duka: Unë do të kisha zgjedhur Shqipërinë

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, në një intervistë për emisionin “Opinion” në Tv Klan ka thënë se ai gjithmonë do të kishte zgjedhur ekipin e Shqipërinë. Gjatë fjalës së tij, Duka ka thënë se më shumë kënaqësi kanë marrë ato futbollistë shqiptarë që kanë zgjedhur të luajnë për Kombëtaren tonë se sa për skuadra të tjera të huaja.

Blendi Fevziu: Zakonisht futbollistët zgjedhin Shqipërinë, apo po i kërkuan ekipe më të mëdha tentojnë të rrinë aty?

Armand Duka: Tashmë ne jemi 34 vjet nga viti 90’ dhe flasim për fëmijë 12-13-14 vjeç që padiskutim janë të lindur andej, fillojnë natyrshëm futbollin atje, fillojnë me ekipet përfaqësuese rajonale dhe shkojnë në ekipe kombëtare atje dhe nëse ka një ftesë nga këto ekipet e mëdha, preferojnë të luajnë atje, por ka edhe plot që zgjedhin Shqipërinë.

Blendi Fevziu: Zakonisht vendos familja apo vendosin futbollistët vetë?

Armand Duka: Në të gjitha rastet vendos familja. Kemi futbollistë dhe në ekip të parë dhe kanë zgjedhur Shqipërinë, siç është Kumbulla që në fakt ka pasur ofertë nga Federata Italiane dhe unë kam biseduar dhe me Federatën Italiane, kemi dhe vëllezërit Shpendi që kanë pasur realisht ofertë nga Federata Italiane që kanë zgjedhur Shqipërinë. Kam përshtypjen se futbollistët që kanë luajtur në Shqipëri kanë pasur një karrierë më të gjatë me ekipin e Shqipërisë. Të njëjtën gjë e them dhe në biseda miqësore. Unë po të isha, do të kisha zgjedhur Shqipërinë jo vetëm se jam patriot apo se jam nacionalist, por qoftë edhe për interesa sportive, ke më shumë mundësi. Nëse do të them historinë e atye që kanë zgjedhur ekipe të tjera, përveç atyre që kanë zgjedhur Zvicrën që vërtetë kanë bërë karrierë, të tjerë nuk është se kanë bërë një karrierë. Kemi rastin e Shkodran Mustafit që ishte një super talent, zgjodhi Gjermaninë, vajti dhe në një kampionat botëror, 1 herë dhe nuk luajti më. Unë besoj se ka marrë më shumë kënaqësi Lorik Cana sesa Shkodran Mustafi. Ka edhe raste të tjera që kanë zgjedhur ekipe të tjera… Megjithatë është zgjedhja e tyre, po të isha unë do të kisha zgjedhur Shqipërinë.

“De Biasi s’kishte ndërmend të vinte në Shqipëri”, Duka tregon kthesën e fatit: Sot thotë më ndihmoi Zoti

Trajneri Gianni De Biasi ka arritur një sukses historik duke shkuar në Europian me Shqipërinë, por kombëtarja kuqezi nuk ishte zgjedhja e tij e parë. Në një intervistë për “Opinion” në Tv Klan, presidenti i FSHF, Armand Duka kujton intervistën me trajnerin italian. Ai nuk shprehu interes pasi priste të bëhej pjesë e Getafe që kishte humbur disa ndeshje radhazi dhe pritej shkarkimi i trajnerit.

Në ndeshjen e së nesërmes, ekipi fitoi duke bërë që De Biasi të vinte në Shqipëri, një eksperiencë   që Duka shprehet se nuk e ka harruar ende dhe nuk e ka përjetuar askund tjetër.

Armand Duka: De Biasi bëri sukses historik sepse për herë të parë shkuam në Europian dhe nëse ka interes mund të ta them historinë e marrëdhënies së parë me De Biasi-n. Ne shkuam për të intervistuar disa kandidatura të rekomanduara nga lidhje të ndryshme dhe shkuam në Milano, e kishim vendosur që do të ishte trajner italian dhe unë, zëvendëspresidenti i Federatës në atë kohë, Bujar Kasmi, sekretari i përgjithshëm dhe drejtori teknik, shkuam në Milano dhe intervistuam 4 ose 5 kandidatura. Një nga ato ishte De Biasi. E pashë që kur erdhi në takim erdhi kot sepse nuk kishte në mend të vinte në Shqipëri, tha “okej, do ta mendoj, do ta them”. Më vonë mora vesh që De Biasi priste që të ikte trajner me Getafe sepse Getafe kishte humbur 5 ndeshje rresht, takimi që bëmë ne ishte ditën e diel, ditën e hënë Getafe luante me Barcelonën që normalisht do humbte dhe ato do të shkarkonin trajnerin dhe do ikte te Getafe. Ditën e hënë Getafe fitoi me Barcelonën 3-0 kështu që ky nuk shkoi atje dhe na tha neve “po” edhe erdhi në Shqipëri. Edhe vetë tani e thotë që “Zoti më ka ndihmuar”.

Blendi Fevziu: Patjetër se shkoi të luante në kampionatin Europian.

Armand Duka: Kur e takoj De Biasi-n sot, më thotë “si në Shqipëri nuk ndihem në asnjë vend tjetër, punova në Azerbajxhan trajner i ekipit kombëtar, dilja në rrugë, nuk më njihte njeri. Edhe sot vij në Shqipëri dhe më ndalojnë të gjithë për fotografi kështu që shqiptarët e duan.

Duka tregon si u zgjodh Zv/President i UEFA-s

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka ka treguar në një intervistë për “Opinion” në Tv Klan se si u zgjodh Zëvendës President i UEFA-s.

Blendi FevziuSi arrite të zgjidheshe Zv/President i UEFA-s?

Armand Duka: Po të kthehem në vitet e para, 2002 kur unë jam zgjedhur President i Federatës së Futbollit, unë as që e mendoja se do të kandidoja ose do të pretendoja për të qenë anëtar i Komitetit Ekzekutiv apo Zv/President. Më vonë, vit pas viti fillova të mendoja se ne edhe mund të përfaqësohemi pak më mirë. Pas një mbledhje që kishim në Zvicër isha me Fadil Vokrri dhe Fadili më tha që “pse nuk kandidon për Komitet Ekzekutiv” dhe aty fillova duke e menduar këtë gjë. Takova 2-3 kolegë dhe i pyeta. Pastaj kandidova për Komitet Ekzekutiv, në zgjedhjet e fundit isha… dhe kjo është në përgjithësi tradita në UEFA, ai që votohet më shumë, bëhet Zv/President i UEFA-s dhe unë isha më i votuari në Kongres dhe u zgjodha.

Histori kuqezi, Duka: 200 futbollistë do të vijnë për të mbështetur kombëtaren në ndeshjen me Italinë

Ndeshja e parë e Shqipërisë në Euro 2024 që do të jetë kundër Italisë do të ketë një mbështetje edhe nga figurat që kanë kontribuar në futbollin shqiptar. Presidenti Armand Duka thotë në emisionin “Opinion” në Tv Klan se deri më tani, 200 futbollistë që kanë luajtur me Kombëtaren do të jenë prezent për të mbështetur ekipin kuqezi.

Armand Duka: Unë besoj se nuk janë penduar që kanë luajtur me Shqipërinë, madje janë edhe të lumtur sepse ne ia demonstrojmë mirënjohjen që kanë kontribuar për futbollin shqiptar të gjithë futbollistëve dhe fakti që ne në çdo aktivitet padyshim, që të gjithë kush ka luajtur për Kombëtaren shqiptare është prezent, madje edhe në kampionatin Europian 2016 të gjithë kanë qenë të ftuar në ndeshjen hapëse kundër Zvicrës, e njëjta gjë do të ndodhë edhe tani, në ndeshjen hapëse kundër Italisë, të gjithë, kush ka luajtur për Komëbtaren shqiptare, në të gjithë historinë e saj, është i ftuar.

Blendi Fevziu: Në të gjithë historinë e saj? Sa veta kanë mbetur akoma që kanë luajtur?

Armand Duka: Po janë mbi 200 futbollistë që janë të ftuar, që kanë konfirmuar pjesëmarrjen në ndeshjen me Italinë.

Blendi Fevziu: Që biletat janë…

Armand Duka: Jo vetëm biletat, por udhëtimin se në fund të fundit ne e kemi detyrë për ata, kontributi i tyre brez pas brezi, ditë pas dite, ndeshje pas ndeshje na ka çuar këtu.

Duka shton se mbështetja e tyre është e rëndësishme për djemtë që do të luajnë në fushë.

President i FSHF që në 2002, Armand Duka zbulon si lindi ideja: Nuk kisha ambicie të isha pjesë e Federatës

Presidenti i FSHF, Armand Duka në një intervistë në “Opinion” në Tv Klan ka treguar më shumë detaje për fillimet e tij në Federatën Shqiptare të Futbollit.

Duka tregon se nuk ka qenë ndonjëherë në ambiciet e tij për të qenë pjesë e Federatës së Futbollit dhe se e gjitha ka lindur natyrshëm, ku ka qenë një ish-President i Vllaznisë në atë kohë që i ka sugjeruar të kandidojë për postin të cilin ai tashmë e mban që në vitin 2002.  

Ndër të tjera presidenti Duka tregon edhe për kushtet në të cilat e gjeti Federatën.  

Blendi Fevziu: Në 2002 si të lindi ideja për të kandiduar për Federatën Shqiptare të Futbollit. Me futboll s’je marrë kurrë.

Armand Duka: Jo futboll të luajtur kurrë si gjithë fëmijët kështu futboll amator…

Blendi Fevziu: Po kështu ishe tifoz i rregullt?

Armand Duka: Padyshim që kam qenë shumë tifoz, jo vetëm i kombëtares shqiptare, por edhe i klubeve. Kam qenë tifoz në qytetin tim ku kam lindur dhe jam rritur në Shijak. Aty kam filluar edhe kontaktin e parë le të themi me sportin në përgjithësi dhe me futbollin, pjesë e komuniteteve të futbollit gjatë gjithë viteve 90 të paktën dhe duke qenë se kisha miqësi me komunitetin e futbollit, realisht duket e pabesueshme, por s’kisha ide dhe asnjë lloj ambicie për të qenë pjesë e Federatës së Futbollit dhe as nuk e dija se çfarë bën kjo Federatë.

Blendi Fevziu: Si erdhi ideja?

Armand Duka: Thashë kam qenë shumë pjesë e komunitetit të futbollit dhe kam pasur shumë lidhje me ta dhe ish-presidenti i Vllaznisë në atë kohë më tha që pse nuk kandidon për president se kemi zgjedhje në Federatë. I thashë ç’lidhje kam me Federatën se mua nuk më del koha për punët e mia jo më për Federatën. Më tha nuk ke punë se është posht kshu, oi bën administrata punët ti je kshu njëhëer në vit dy herë herë në vit.

Blendi Fevziu: Me të vërtetë kot dole apo s’doli kot.

Armand Duka: Që ditën e parë që hyra zbulova që nuk ishte kot. Ishte një sfidë e vështirë në atë që gjeta..

Blendi Fevziu: Thuajse të gjithë Presidentët e Federatës kanë qenë ish-futbollistë. Ti ishe i pari që fute modelin e menaxherit që në fakt UEFA dhe FIFA e kishin më herët.

Armand Duka: Jo vetëm Presdienti i Vllasnisë, por edhe drejtuesit e tjerë të klubeve menduan që le të jetë një drejtim ndryshe, një menaxher që ka bërë sukses në biznes, apo në menaxhime të tjera dhe siç edhe dihet apo e kemi rrëfyer në fillim Federata kishte një zyrë poshtë shkallëve të stadiumit dhe m’u duk sikur bëra një revolucion. Binte uji brenda. Morrëm një zyrë me qira dhe mu duk se kaluam në luks, por sot kur jemi këtu po kuptoj që paskemi qenë edhe atje në ferr.

“Shqipëria në grup simpatik”, Duka për Euro 2024: Kemi gjithçka gati, besoj do jemi në nivelet e perfeksionit

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka thotë se Shqipëria do të luajë me skuadrat më të forta të botës në Europian teksa shton se është bukur të sfidohesh nga të tilla ekipe.

Gjatë fjalës së tij në një intervistë për emisionin “Opinion” në Tv Klan, Duka shprehet se është bërë gjithçka gati dhe se beson se ekipi kombëtar do të jetë në nivelet e perfeksionit në Euro 2024 teksa shton se nuk kanë asgjë për të humbur.

Blendi Fevziu: Shqipëria po shkon në Europian, cilat janë objektivat? Është ndoshta jo vetëm grupi i ferrit, por më i vështiri i mundshëm që mund të binte?

Armand Duka: Unë nuk e kam parë si një grup ferri, unë e kam parë si një grup vërtetë simpatik. Do të luajmë kundër ekipeve të mira të botës dhe ne ato do të kemi në grup. Është bukur të sfidosh dhe të ndeshesh kundër ekipeve të tilla. Nuk janë më të dobët të tjerët. Ndeshjet e futbollit janë të gjitha të vështira. Nuk ka diferenca të mëdha. Ne mund të arrijmë. Nëse ne do të bëjmë atë që kemi bërë gjatë ndeshjeve eliminatore, ne padyshim që do të bëjmë një performancë pozitive. Uroj që ne ta kemi. E rëndësishme që t’i kemi futbollistët mirë. Kemi bërë gjithçka gati, besoj se do të jemi në nivelet e perfeksionit që futbollistët të mendojnë vetëm për të luajtur dhe për të arritur një rezultat pozitiv. Nuk kemi gjë për të humbur në Europian. Unë kam besim tek Silvinjo dhe çunat, presionin le të ja lëmë atyre dhe ne të kënaqemi me atë që kemi arritur.

Sfidat e Shqipërisë dhe të gjitha ndeshjet e Euro 2024 do të transmetohen falas në Tv Klan.

/tvklan.al