Konfirmohet vdekja e Presidentit të Iranit, Ebrahim Raisi dhe ministrit të Jashtëm Hosein Amir-Abdollahian.

Trupat e tyre u gjetën në veri të Iranit, në vendin ku helikopteri i tyre ra gjatë kthimit nga Azerbajxhani. Këto filmime tregojnë momentet e marrjes së tyre nga pjesëtarët e ekipeve të gjysmëhënës së kuqe.

Ishte droni Akinçi i dërguar nga qeveria turke në ndihmë të kërkimeve, që zbuloi vendin e rënies së helikopterit në orët e para të kësaj të hëne, në një zonë të thepisur pyjore malore 20 kilometra larg kufirit me Azerbajxhanin.

Krahas presidentit dhe kryediplomatit, në aksidentint tragjik humbën jetën edhe guvernatori i provincës iraniane të Azerbajxhanit Jugor, një përfaqësues i Ajatollahut, një truproje i presidentit, piloti i helikopterit dhe një teknik.

Deri më tani flitet se shkak i tragjedisë ka qenë moti i keq, që krijoi shikueshmëri të ulët në zonë, për shkak të mjegullës dhe reshjeve të dendura.

Edhe pse nëpër rrjete sociale janë hedhur dyshime se prapa aksidentit mund të jenë shërbimet sekrete izraelite, mediat prestigjoze ndërkombëtare shkruajnë se në këtë rast nuk ka asnjë përfshirje të Izraelit.

Qeveria iraniane shpalli 5 ditë zie kombëtare, ndërsa nga e marta nisin homazhet për presidentin e ndjerë.

Flamujt janë ulur në gjysmë-shtizë në Teheran dhe të gjitha përfaqësitë diplomatike iraniane nëpër botë.

Përmes Ministrive të Jashtme respektive, Rusia, Kina, Turqia dhe Pakistani ishin të parat vende që dërguan mesazhe ngushëllimi për këtë tragjedi.

Tv Klan