Kryeministri Edi Rama shprehet i bindur se rruga që ka ndjekur qeveria e tij me drejtësinë e re është e duhura. Në një intervistë për Nacionale, Rama tha se SPAK është i pavarur në punën e tij.

“Fakti që ne i kemi dhënë drejtësisë mundësi të ketë një grykë zjarri që gjuan, pavarësisht se ti je në pushtet, apo në opozitë dhe që furnizohet me municion falë vullnetit tonë, sepse kanë pagat më të larta në Republikën e Shqipërisë, kanë mbështetje maksimale, nuk komentojmë kurrë për ta, kjo duhet t’i gëzojë njerëzit”.

Thotë se përgjegjësia e tij është vetëm garantimi i pavarësisë së institucioneve të drejtësisë dhe se korrupsioni po tkurret.

“Korrupsioni ka qenë i shpërndarë kudo dhe korrupsioni ka filluar të tkurret”.

Lidhur me zhvillimet në Kosovë, Rama tha se qeveria e Prishtinës ka zgjedhur një rrugë të gabuar që po e dëmton në marrëdhëniet me aleatët.

“Kosova nuk ka objektiv të integrohet në Serbi, ka objektiv të anëtarësohet në BE dhe NATO. Atëherë çfarë duhet të bëjë Kosova? Kosova duhet të bëjë të pjesën e vet nga A-ja te ZH-ja, pa pyetur fare dhe pa pritur fare që të bëjë Serbia pjesën tjetër. Shumë e thjeshtë. Duke bërë këtë lloj të ndryshëm negocimi, Kosova faktikisht e ka lidhur fatin e vet me Serbinë”.

Thotë se nuk ka asgjë personale me Albin Kurtin.

“Ditën që Albini ka ardhur për të prezantuar kandidatët, ka ngrënë makarona me mua”.

I pyetur për takimin e zhvilluar me shqiptarët në Greqi, Rama tha se ai ishte planifikuar kohë më parë dhe se nuk kishte arsye që çështje të caktuara mes vendeve të pengojnë integrimin në BE. 

Tv Klan