Komisioni Evropian në një deklaratë për “Euroaktiv” u ka bërë thirrje Shkupit dhe Athinës që të respektojnë Marrëveshjen e Prespës dhe t`i zbatojnë dispozitat e marrëveshjes.

Gjatë një deklarate për portalin, zëdhënësi i KE-së ka deklaruar se marrëveshjet dypalëshe, nga të dy palët, duhet të zbatohen me vullnet të mirë.

“Raportet ndërfqinjësore dhe bashkëpunimi rajonal mbeten thelbësore për procesin e zgjerimit. Marrëveshjet e përhershme dypalëshe duhet të zbatohen me vullnet të mirë nga të dyja palët duke llogarit edhe Marrëveshjen e Prespës midis RMV-së dhe Greqisë”, thonë nga KE.

Në inaugurimin e Presidentes Siljanovska, ku ajo nuk përmendi emrin kushtetues të vendit, paraprakisht kishin reaguar edhe krerët e BE-së.

Presidentja e KE-së, Ursula von der Leyen dhe Presidenti i Këshillit evropian, Charles Michel, disa orë pas inaugurimit bashkë me urimin për Presidenten dërguan mesazhe se për të vazhduar rrugën drejt BE-së, RMV-ja duhet t`i respektojë marrëveshjet ndërkombëtare./Klan Macedonia