Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, ishte në një seancë dëgjimore në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë dhe Financave mbi subjektet financiare jobanka që blejnë kredi me probleme. Guvernatori Sejko sqaroi se, me ndryshimet rregullative të marsit 2016, blerja e kredisë u konsiderua një formë kredidhënieje.

“Procesi i mbledhjes së kredive me probleme është pjesë e procesit të kredidhënies dhe, si i tillë, mund të kryhet vetëm nga subjekte të licencuara nga Banka e Shqipërisë. Aktualisht janë 5 subjekte, të cilët krahas aktivitetit kredidhënës kryejnë paralelisht edhe aktivitetin e blerjes se portofoleve të kredive me probleme.”

Guvernatori Sejko foli edhe për pezullimin e subjektit MCA për të cilin tha se kanë marrë 85 ankesa nga qytetarët.

“Në ekzaminimin e fundit (dhjetor 2023), Banka e Shqipërisë mori një masë më të rëndë, e cila ndonëse e klasifikuar si pezullim,  e vendoste MCA-në në kushtet e një “revokimi faktik” të licencës.”

Sipas guvernatorit pavarësisht pezullimit të licencës, qytetarët kanë detyrim shlyerjen e kredisë, ndërkohë bëri me dije dhe të dhënat për kredimarrësit në këtë subjekt.

“MCA ka në portofolin e tij 15.942 klientë kredimarrës. Nga këta, rreth 90 % kanë marrë një vendim gjykate dhe/ose  janë në proçes përmbarimor. Kjo do të thotë që për 90% të rasteve ka një vendim gjykate që përcakton vlerën e detyrimit të kredimarrësit.”

Sipas guvernatorit është e rëndësishme që të bëhen disa ndryshime ligjore.

“Kodin e Procedurës Civile për rregullimin e të gjitha veprimeve me karakter procedural të përmbaruesve gjyqësorë gjatë ekzekutimit të titujve ekzekutivë. Së dyti hartimin, në bashkëpunim me Bankën Boterore, të një Ligji të posaçëm për mbrojtjen e konsumatorit në veprimtarinë e subjekteve  financiare jobanka.”

Portofoli i kredisë së dhënë nga subjektet financiare, vlerësohet në nivelin 805 miliardë Lekë, institucionet jobanka kanë në total 6% të portofolit të kredisë, me mbi 53 miliardë Lekë.

Klan News