Të ftuar:

Chrysanthi Kalogeri – astrologe

Borana – këngëtare

Gazetare: Agida Koçi, Ermelinda Ndoja

#ShijeShtëpie në #TvKlan. Emision edukues, informues & argëtues me znj. Vjollca dhe Katerina Trungu. Çdo ditë me recetat e thjeshta dhe mbi të gjitha ekonomike te znj. Vjollca duke edukuar amvisat si të ushqehemi shëndetshëm. Rubrika të ndryshme me të ftuar specialë me këshilla të thjeshta praktike, të kuptueshme nga të gjithë, për çdo aspekt të të përditshmes. Argëtim, me muzikë dhe quiz, lojëra gjithëpërfshirëse që të japin atë dëshirën për të luajtur dhe për të komunikuar live me Katerinën dhe të ftuarit e saj.

2 receta nga Znj. Vjollca

Speca të kuq të mbushur me oriz dhe kërpudha

6-8 speca të kuq

1 qepë

1 karotë

200 gr kërpudha

220 gr oriz

1 lç shafran indie

Kripë dhe piper i zi

Kopër

Majdanoz

1 domate e freskët

150 gr djathë të verdhë që shkrin

Lajmë dhe thajmë specat. I vendosim të piqen në furrën e parangrohur në temperaturë 180 gradë për 20 minuta (pa i dhënë ngjyrë). Ndërkohë në një tigan ngrohim vajin dhe kaurdisim qepën. Sa të zbutet, shtojmë karrotën në kubikë shumë të vegjël. Shtojmë kërpudhat dhe ato të prera në copëza të vogla të holla.

Shtojmë orizin (të shpëlarë mirë), e përziejmë mirë në tigan e më pas shtojmë 1 gotë ujë dhe e lëmë orizin të ziejë për 10 minuta. Në fund shtojmë erëzat e freskëta dhe lëmë mbushjen mënjanë. Nxjerrim specat nga furra, i presim në sipërfaqe në formë T-je duke mos e larguar bishtin. I mbushim brenda me mbushjen e përgatitur e në fund i mbulojmë me djathë. I vendosim në një tepsi me letër pjekje e më pas në furrë në temperaturë 180 gradë për 20 minuta.

Sallatë me kungull dhe thjerrëza

2 kunguj të njomë

Vaj ulliri

Kripë

1 fç thjerrëza

1 domate

100 gr djathë të bardhë

Kopër

Dressing

1 qepë e vogël e kuqe

2 lgj uthull

1 lç mustardë

Pak mjaltë

Vaj ulliri

Pjekim kungujt të prerë në rrathë. Ziejmë thjerrëzat për 25 minuta. I kullojmë. Në një pjatancë vendosim si bazë fetat e kungullit të pjekur. I mbulojmë me thjerrëza. Vendosim përsëri kunguj, sërish thjerrëza e mbi thjerrëzat kubikë domate të pastruar nga farat. Shtojmë disa thërrime djathi, në fund kopër të copëtuar. Përziejmë qepën e grirë, uthull, mustardë, pak mjaltë ose sheqer, vaj ulliri i përziejmë dhe marinojmë sallatën.

Javë e re, horoskop i ri, si do të jetë klima e përgjithshme?

Parashikimi i yjeve për secilën shenjë të horoskopit

“Sasi por jo cilësi”, çfarë kanë rezervuar yjet këtë javë për shenjat e zodiakut

Yjet rezervojnë momente të bukura për shenjat këtë javë. Sipas parashikimit nga Chrysanthi Kalogeri, astrologia e “Shije Shtëpie” në Tv Klan, dy ngjarje astrologjike do të ndikojnë bukur te shenjat. Financat janë një nga aspektet më kryesore që do të ndikohen, por që do të ndërlidhen edhe me jetën sociale e karrierën.

Chrysanthi Kalogeri: Hëna e plotë te Shigjetari dhe kalimi i Jupiterit në shenjën e Binjakëve do të jenë në datën 26. Paralelisht, kemi një aspekt shumë pozitiv, shumë harmonik në datën 22-23 së bashku me hënën e plotë që do të na ndihmojë. Është klimë shumë e mirë për përfitime financiare, për dashuri, për krijimin e lidhjeve, marrëdhënieve. Kërkohet të jemi pak të kujdesshëm sepse ndoshta mund t’i idealizojmë gjërat, mund t’i shikojmë më bukur sesa janë ndërkohë që me hënën e plotë në Shigjetar do të kemi dëshirë për të kaluar sa më bukur përditshmërinë tonë, të jemi më entuziastë, të kemi dëshirë për udhëtime si dhe t’i realizojmë, dëshirë për peripeci, flirt, dashuri. Kalimi i Jupiterit në datën 26 në Binjak do të na e bëjë përditshmërinë më interesante, më të bukur, komunikimin më të lehtë, më të thjeshtë por duhet të jemi të kujdesshëm sepse mund ta lëshojmë veten, të shpërdorojmë kohën dhe të mos kapim shanset sepse Jupiteri në Binjak premton sasinë, por jo cilësinë. Të mos shpërdorojmë kohën, sidomos gjatë verës sepse lënë pak punët mënjanë që të kalojmë bukur në përditshmërinë tonë, të flirtojmë, komunikojmë, të dalim me shoqërinë, por të jemi edhe të disiplinuar e të kapim shanset. Hëna e plotë ndikon më tepër te Binjakët, Shigjetari, Virgjëresha dhe Peshqit. Kalimi i Jupiterit në Binjak favorizon shumë Binjakët, Peshorja, Ujori, por edhe Shigjetari, Virgjëresha dhe Peshqit. Këta të fundit do të kenë shanse por duhet të jenë të kujdesshëm sepse nga entuziazmi i tepërt mund të lënë gjëra pas dore ose të dllin në pah probleme nëse nuk i trajtojnë mirë problemet në vijim.

Dashi – Këtë javë me hënën e plotë në Shigjetar në datën 23, për 15 ditët në vijim do të merrni vendime për të ardhmen, një kurorë, një dasmë, plane për studime apo për jashtë shtetit. Mos u nxitoni në vendimet që do të merrni dhe studiojini mirë. Në të gjitha gjërat që planifikoni në lidhje me të ardhmen, keni mbështetjen e një njeriu të fuqishëm ose të një miku që ka ndjenja dashurie për ju, por edhe fuqi që t’ju mbështesë dhe t’ju japë veç këshillave të duhura, edhe mbështetjen që dëshironi. Në datat 22-23 keni shanse për një përfitim ekonomik nga një bisedë intime ose një ndihmë apo mbështetje ekonomike. Këtë javë aktivizohet eklipsi i datës 8 prill në shenjën tuaj ndaj të lindurit në datat 8-10 prill mund të shohin ngjarje që do të sjellin ndryshime dhe janë të lidhura me eklipsin. Kalimi i Jupiterit në Binjak favorizon komunikimin, reklamimin e punës dhe ju sjell afër me njerëzit e rrethit tuaj apo që ndani jetën e përditshme. Nuk përjashtohet mundësia që përgjatë një vitit të mendoni për të blerë një makinë.

Demi – Duhet të fokusoheni në sferën financiare që ka të bëjë me bashkëpunimet në sferën profesionale, bankat, bashkëshortin, të dashurin dhe puna që bëni tani do të vlerësohet dhe ekziston mundësia për rritje rroge, përfitim ekonomik por edhe nga ana shpirtërore do të ndiheni shumë mirë sepse njerëz që janë më lart do të vlerësojnë punën dhe arritjet. Të lindurit në ditët e fundit të shenjës do të kenë përfitime, gjëra të bukura dhe mbështetje nga rrjeti social rreth datës 22-23. Kalimi i Jupiterit në Binjak do të sjellë për një vit shanse në sferën ekonomike, përfitime ndaj fokusohuni dhe shanset që ju kanë ardhur, do t’i shfrytëzoni vitin që vjen.

Binjakët – Një periudhë shumë e mirë, Afërdita do të kalojë në shenjën tuaj ndaj mund të shkëlqeni, joshni me fjalën, paraqitjen dhe komunikimin tuaj. Hëna e plotë zhvillohet në Shigjetar dhe do të sjellë shanse në marrëdhënie e bashkëpunime që do të vijnë nga data 26 me hyrjen e Jupiterit, planetit të fatit, zhvillimit dhe prosperitetit në shenjën tuaj ku do të keni një vit të tërë që të lulëzoni e keni zhvillim, mjaft të mos konsumoheni në një komunikim të tepërt, të mos qëndroni në sipërfaqe të gjërave dhe të kombinoni shanset me disiplinën në punë që të përforconi pozitat tuaja dhe të keni arritje më të larta. Data 22-23 premton takime intime në jetën erotike, personale por gjithashtu edhe ndihmë e mbështetje nga një person në punë tuaj, të krijoni një lidhje, një flirt që do të vijë nga një person që keni në  punë.

Gaforrja – Është momenti t’i pëvisheni punës, të përqendroheni në jetën e punën e përditshme. Mund të jeni e ndiheni të lodhur, të gjeni kohën për t’u çlodhur dhe mos të ankoheni. Dëshira juaj është të dilni apo bëni një udhëtim të vogël, përgjegjësia në punë e përditshmëri do të jetë më e madhe se herët e tjera. Në datën 22-23 të lindurit në ditët e fundit të shenjës mund të kenë një dhuratë, takim nga rrjeti social, mundësinë për të realizuar një ëndërr ose një mbështetje për një plan që e keni menduar, fantazuar për të ardhmen. Kalimi i Jupiterit në Binjak do të krijojë shanse për ata që kanë një punë të vetën që të kenë kushte më të mira, të bëjnë një marrëveshje në favor të vet, por edhe të kujdeseni për shëndetin e të gjeni zgjidhjen e problemeve. Hëna e plotë premton mundësi për mbështetje financiare ose gjëra që kanë të bëjnë me trashëgimi.

Luani – Vazhdoni të jeni aktivë në jetën tuaj sociale pasi shanset dhe suksesi vazhdojnë të jenë akoma pranë jush. Do të zgjeroni rrjetin social që këtë javë por edhe gjatë muajit qershor, sidomos me kalimin e Jupiterit në datën 26 në shenjën e Binjakëve ku do të gjeni miq të rinj, mbështetje nga rrjeti social në realizimn e qëllimeve dhe synimeve që keni. Hëna e plotë është shumë erotike dhe krijuese për ju ndaj përfitoni në maksimum. Priten ndryshime në marrëdhënie e bashkëpunime që mund të sjellin ndryshime thelbësore në jetën e karrierën tuaj, sidomos të lindurit në ditët e para të shenjës.

Virgjëresha – Jeta sociale dhe karriera janë në qendër të vëmendjes, por nuk duhet të lini pas dore shtëpinë e familjen. Do të keni një ndryshim ndoshta edhe rrënjësor në përditshmëri, mund të filloni një punë të re ose cikël të ri në karrierë, që do të bëhet më e theksuar pas datës 26 dhe do të keni një vit që të fokusoheni, të keni arritje e sukses në këto fusha. Disiplina dhe puna sigurojnë që do të keni një vit që do të shkëlqeni dhe forconi pozitat tuaja, edhe pse mund të hasni pengesa.

Peshorja – Një periudhë shumë e mirë sepse Jupiteri kalon në shenjën e Binjakëve që është shumë  harmonike për ju dhe kjo fillon nga data 26, por ju favorizon për planet për të ardhmen. Të lindurit në ditët e para të shenjës janë në një fazë që do të shohin ndryshime rrënjësore në jetën e tyre që do të jenë të mira, kanë të bëjnë me të ardhmen, dashurinë, jetën personale, fëmijët. Favorizoheni edhe në sferën financiare ndaj dashuria, paratë, planet për të ardhmen marrin një rëndësi të veçantë. Jini sa më socialë, dilni dhe prania e komunikimi do të sjellë promovimin e punës dhe planeve që keni.

Akrepi – Këtë javë përqendrohuni në sferën financiare dhe te xhepi juaj sepse keni një paqëndrueshmëri, doni të bëni investime në lidhje me shtëpinë, zyrën, ambientin ku veproni ose detyrimet familjare në ditët e para të shenjës mund t’ju detyrojnë të shpenzoni më tepër për familjen apo të nxirrni më shumë përfitime nga shfrytëzimi i pronës. Fillon një periudhë shumë pozitive ku do të gjeni ndihmën dhe mbështetjen e duhur për planet që keni për të ardhmen, për investime. Nga data 26 epër një vit mund të merrni një kredi bankare që u shërben planeve tuaja, një rritje të të ardhurave nga punëdhënësi, bashkëpunimet ose bashkëshorti. Në datën 22-23 jini vigjilentë dhe të lindurit në ditët e fundit të shenjës përfitojnë në sferën emocionale e financiare, pro në këtë të fundit jini më të kujdesshëm në iniciativat që do të ndërmerrni pasi ka disa hile të vogla.

Shigjetari – Hëna e plotë në shenjën tuaj ju bën më entuziastë, ju jep dëshirë për peripeci, udhëtime  dhe fokusim te vetja por krijon shanse unike për marrëdhëniet e bashkëpunimet. Do të ishte mirë të  vendosnit një ekuilibër mes  vetes dhe marrëdhënieve tuaja. Dëshira për të udhëtuar plotësohet lehtë dhe kujdes me vendimet pasi mund të jenë përfundimtare e mos të korrigjohen dot më vonë. Nga data 26 fillon një periudhë shumë e mirë për ju, marrëdhëniet, bashkëpunimet dhe mund të gjeni të dashurin, njeriun e jetës apo të konsumoheni dhe të mos mbeteni të kënaqur. Është në dorën tuaj që t’i çoni gjërat ku duhet dhe mos harroni që sasia nuk siguron cilësinë.

Bricjapi – Fokusohuni në sferën financiare e lëvizjet që doni të bëni sepse disa vendime që mund të merrni këtë javë mund të sjellin ndryshime rrënjësore. Lëvizjet gjatë kësaj jave, në fund të majit dhe fillim të qershorit, mund të jenë vendimtare për financat tuaja dhe të përcaktojnë sferën financiare për disa vite në vazhdim. Fokusohuni në jetën e përditshme, evitoni prapaskenat, fokusohuni në një mënyrë sa më të shëndetshme jetese nga data 26 e për një vit në vazhdim.

Ujori – Një periudhë shumë favorizuese, klima është erotike dhe nxitëse që të ndërmerrni iniciativa për realizimin e një vepre, një krijimtari, investim. Të lindurit në ditët e para të shenjës janë në një fazë ndryshimi thelbësor që një pjesë të tij do ta reaizojnë tani, do të fillojë që këtë javë por do ta ndiejnë në fund të majit e fillim të qershorit, ndërsa do të realizohet plotësisht në vjeshtën e këtij viti. Planeti i fatit,  Jupiteri kalon në shtëpinë tuaj të pestë kështu që fati do të jetë me ju, prisni dashuri, gëzime nga fëmijët dhe udhëtime. Këtë javë fokusohuni në jetën tuaj sociale.

Peshqit – Ndikoheni nga hëna e plotë që kërkon të fokusoheni në karrierë, jetën sociale, ekspozoni veten, tregoni talentet, jini sa më të organizuar dhe të disiplinuar. Në të gjitha këto që realizoni, keni mëbshtetje nga një njeri i fuqishëm që s’është nevoja ta deklaroni apo të thoni se nga vjen, mbajeni sekret. Kujdesuni për shtëpinë, familjen dhe do të keni shanse që të shijoni momentd të bukura me pjesëtarët e familjes dhe njerëzit e afërt. Të lindurit në ditët e fundit të shenjës duhet të përfitojnë nga një takim rreth datës 22-23 dhe disa takime mund t’ju bëjnë të ëndërroni, të jeni më ëndërrimtarë, t’i shihni gjërat më rozë dhe të ndiheni mirë. Nuk përjashtohet mundësia që të merrni apo jepni një dhuratë të bukur.