2 persona kanë ndërruar jetë dhe 10 të tjerë janë plagosur si pasojë e një sulmi me thikë në një shkollë fillore në Jiangxi të Kinës. Njoftimi është bërë i ditur nga policia, ndërsa nuk dihet ende nëse mes viktimave ka fëmijë. Sulmi ka ndodhur rreth mesditës në shkollën fillore të qytetit Guixi.

Sipas autoriteteve policore, sulmi është kryer nga një grua 45-vjeçare, e cila ka përdorur një thikë frutash për aktin e rëndë. Pas krimit, ajo është kapur nga policia. Prindërit e fëmijëve në këtë shkollë kanë përshkruar tronditjen dhe frikën e tyre kur mësuan se kishte ndodhur një sulm.

“E mora lajmin në mesditë dhe isha shumë i tronditur. Fëmija im është në klasën e pestë dhe ka mbërritur i sigurt në shtëpi”, ka thënë një prind për BBC News.

Një baba tjetër, i cili gjithashtu ka kërkuar që identiteti i tij të mbahej i fshehtë, tha për BBC: Sigurisht, ne jemi të frikësuar. Nuk janë vetëm fëmijët, edhe ne të rriturit jemi shumë të frikësuar. Mësuesja e klasës i trajtoi mjaft mirë; ata menjëherë postuan foto të fëmijëve në grupin e prindërve, duke thënë se fëmijët ishin të sigurt dhe se tashmë i kishin mbyllur dyert, duke u kërkuar prindërve që të vinin t’i merrnin.

Muajt e fundit, Kina është tronditur nga një seri sulmesh me thikë. Një burrë goditi me thikë 2 persona dhe plagosi 21 të tjerë muajin e kaluar në një spital në provincën jugore të Yunnan. Në Gusht të vitit të kaluar, 2 persona u vranë dhe 7 të tjerë u plagosën pasi një person me probleme mendore goditi njerëzit me thikë në një lagje banimi në Yunnan. Në Korrik të atij viti, 6 persona, duke përfshirë 3 fëmijë, u vranë në një goditje me thikë në një kopsht fëmijësh në provincën juglindore të Guangdong./tvklan.al