A po shtrëngohet buxheti juaj, por udhëtimi është gjëja e fundit që do të dëshironit të hiqnit dorë? Mos u shqetësoni, ne kemi një zgjidhje. Në fakt, kemi disa, shkruan Daniela Kankova në revistën amerikane “Traveling Lifestyle”. Kështu nis artikulli i kësaj reviste e cila ofron një listë me gjashtë destinacionet më të lira në Evropë për pushime në 2024 ku udhëtarët mund të pushojnë mirë dhe lirë.

Në këtë listë është përfshirë Riviera Shqiptare e cila ka tërhequr vëmendjen e shumë udhëtarëve vitet e fundit dhe shpesh është cilësuar si “Bali i Evropës”. Shqipëria ofron plazhe mahnitëse dhe ujëra të kthjellëta dhe në vijën e gjatë bregdetare ka resorte të shkëlqyera, restorante dhe atraksione të shumta kulturore.

Për më tepër, plazhet e Shqipërisë nuk janë ende të mbipopulluara me turistë. Të gjitha këto vijnë me një kosto të përballueshme në krahasim me destinacionet e njohura mesdhetare. Çmimi mesatar për një dhomë hoteli shkon nga 40 deri në 90 dollarë ndërsa një vakt në një restorant të lirë kushton 10 dollarë.

Në përfundim i këshillon lexuesit dhe ata që janë të interesuar për të pushuar të rezervojnë udhëtimin e tyre përpara se udhëtarët të njihen me këtë perlë të fshehur mesdhetare.

Klan News