Policia shqiptare në bashkëpunim me Guardia di Finanzan e Puglias ndaluan në orët e para të mëngjesit një gomone me rreth 1.2 ton marijuanë, e cila ishte nisur nga Shqipëria.

Në pranga përfunduan dy skafistët shqiptarë,  me inicialet Rr. A., 30 vjeç dhe A. I. 44 vjeç.

Policia shqiptare thotë se gomonia 7.5 metër e gjatë, e mbushur me drogë u mbajt nën vrojtim ne ujerat ndërkombëtare, derisa u ndalua nga roja bregdetare italiane pranë një plazhi në qytetin e Termoli-t, në provincën e Molisës, 200 kilometër në veri të Barit.

Për shkak të sekretit hetimor, ajo nuk jep të dhëna të tjera në lidhje me vendin nga ku është nisur gomonia.

Në njoftimin për shtyp theksohet se trafikantët janë duke shfrytëzuar rrugë alternative, duke u zhvendosur nga Puglia drejt pjesës së sipërme të Adriatikut, në rajonin e Abruzzos.

Dy te ndaluarit akuzohen për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike. Ndërkohë që hetimet vijojnë në Itali e Shqipëri, në përpjekje për të zbuluar organizatoret dhe personat e tjerë të përfshirë në këtë trafik.

/Tv Klan