Endri Beqiraj, 28 vjeç dhe Julo Rrokaj, 25 vjeç prisnin që të merrnin një shumë parash, që e kërkonin falë kërcënimeve, por në vend të tyre, ata u përballën me policinë.

Bëhet fjalë për dy të rinj nga qyteti i Vlorës, të cilët prej muajsh kërcënonin në telefon një 46 – vjeçar, të cilit i kërkonin një shumë prej 100 mijë eurosh. Madje ditët e fundit ata e kishin kërcënuar edhe me jetë.

Burime zyrtare sqarojnë se dy të rinjtë u kapën të shtunën, gjatë pritjes për të marrë shumën e parave të kërkuara, në fshatin Qishbardhë.

“Të dy këta shtetas prej disa muajsh kanë kërcënuar me anë të telefonit, shtetasin Sh.S., 46 vjeç, banues në Vlorë, që t’u jepte një sasi vlerash monetare prej 100.000 Euro. Ditët e fundit këta shtetas e kanë kërcënuar edhe me jetë në rast se nuk do të jepte shumën e kërkuar. Konflikti mes Endrit dhe shtetasit Sh.S, për motive të dobëta”,

sqaron policia në një njoftim të sajin./tvklan.al