Situata me kreditë e këqija ka detyruar Shqipërinë të kërkojë ndihmë financiare nga Banka Botërore. Janë 100 milion dollarë që Bordi i Drejtorëve të kësaj banke në Washington, miratoi mbrëmjen e shkuar për Shqipërinë. Pjesa më e madhe e parave do të shkojë për të financuar planin e masave për të reduktuar huanë me probleme.

Në një njoftim për shtyp, Banka Botërore shprehet se edhe pse janë bërë disa ligje, si ai i falimentit apo ai për ndërhyrjen e jashtëzakonshme në banka, ende nevojitet punë për të zgjidhur situatën e kredive të këqija.

Një tjetër shumë nga kjo hua jepet për të përmirësuar menaxhimin e fondeve të investimit privat. Fondet private nisën lulëzimin disa vite më parë, pasi ranë interesat e depozitave, por nuk ofrojnë garanci për investitorët që futin paratë në këto lloj skemash./ TV KLAN