Nuk ka të ndalur dara ndëshkuese e autoriteteve turke ndaj të akuzuarve për organizimin e grushtit të dështuar të shtetit, në vitin 2016.

Një gjykatë në qytetin e Izmirit dënoi me burgim të përjetshëm 104 persona, për lidhje me armikun kryesor të Presidentit Rexhep Taip Erdoan, imamin në ekzil Fetullah Gylen. Shumë prej të dënuarve përjetë janë ish-zyrtarë dhe ish-titullarë të lartë ushtarakë.

21 persona të tjerë u dënuan me 20 vjet burg, të akuzuar si bashkëpunëtorë të tentativës për rrëmbimin dhe eliminimin e Presidentit Erdoan.

Paralelisht me dënimet maksimale, vijon fushata e arrestimeve masive në Turqi, nën regjimin e gjendjes së emergjencës. 768 persona të akuzuar për terrorizëm janë arrestuar vetëm javën e kaluar. Sipas OKB-së, që prej korrikut 2016 kur ndodhi grushti i dështuar i shtetit, mbi 160 mijë persona janë vënë në pranga si të lidhur me organizatën FETO, të Gylen.

Rexhep Taip Erdoan është akuzuar shpesh nga Perëndimi për metodat e ashpra të ndëshkimit dhe për ngritjen e një sistemi totalitar.

Tv Klan