Banorët kanë përjetuar momente dramatike nga erat e forta të stuhisë “Friederike”, që goditi orët e fundit Europën Veriore.

Erërat e fuqishme që arritën një shpejtësi maksimale prej më shumë se 203 km/orë i kanë marrë jetën të paktën 12 personave dhe kanë plagosur dhjetëra të tjerë.

Bilancin më të rëndë e ka Gjemania. Autoritetet e këtij vendi llogarisin deri më tani 8 viktima. 3 në Holandë e 1 në Belgjikë. 

Erërat e forta shkulën me rrënjë pemë, që shkatërruan qindra ndërtesa.

Veç rrugëve, stuhia paralizoi edhe sistemin hekurudhor dhe atë ajror me dhjetëra fluturime të anulluara. Këto pamje të pistës së aeroportit të Dyseldorfit tregojnë se sa të vështirë e patën pilotët të bënin uljen mes stuhisë.

Dëmet nga stuhia përllogariten paraprakisht në qindra miliona euro. Stuhia preku edhe Britanine e Madhe dhe Francën. Meteorologët nuk e prisnin një intensitet të tillë, por thonë se kjo ishte stuhia më e fuqishme e dhjetë viteve të fundit në Europë.

Tv Klan