Kriza politike në Venezuelë mund të thuhet se ka hyrë në një rrugë pa kthim. Analistët ndërkombëtarë shohin atje një Siri të re.

Policia ka qëlluar për vdekje të paktën 10 protestues dhe ka plagosur dhjetëra të tjerë në vetëm 2 ditë manifestime masive shpesh herë të dhunshme mbarë popullore të opozitës, që kundërshton zgjedhjet e reja parlamentare të së dielës, nismë e presidentit majtist Nikolas Maduro për të legjitimuar qëndrimin në pushtet dhe që njihen vetëm prej tij dhe askujt tjetër.

Për të parën herë ka edhe një bilanc zyrtar viktimash për 4 muaj protesta mbarë popullore kundër Maduros. Prokurorja e Përgjithshme Luiza Ortega Diaz tha se deri më sot përllogariten 121 të vrarë e 2 mijë të plagosur. Policia është përgjegjëse për 25% të vrasjeve, ndërsa në 40% të rasteve të tjera janë grupet e civilëve të armatosur.

Por gjatë konferencës për shtyp, ku foli për shifra zyrtare, Ortega që deri pak kohë më parë ishte një prej mbështetëseve të zjarrta të Maduros, shpalli një kthesë 360-gradëshe në qëndrimet e saj. Ajo akuzoi presidentin për krime lufte, për urdhërat e tij për vrasjen e manifestuesve opozitarë. Sipas saj, Maduro është shndërruar në një diktator të vërtetë dhe po shtyp protestat me dorë të fortë.

Administrata amerikane njoftoi përmes një deklarate për shtyp të Sekretarit të Thesarit Stiven Mnuchin, vendosjen e sanksioneve financiare kundër Venezuelës dhe bllokimin e pronave të presidentit Maduro në Shtetet e Bashkuara. Firmave amerikane u ndalohet të bëjnë biznes me kompani që lidhen me të. Por nuk dihet, nëse Maduro dëmtohet nga sanksione të tilla dhe nëse ka prona në territorin amerikan.

Maduro e ka konsideruar të ligjshëm rezultatin e zgjedhjeve të së dielës. Sipas autoriteteve, pjesëmarrja në to ishte mbi 41%, ndërsa opozita e kundërshton dhe pretendon se 88% e votuesve e bojkotuan procesin./Abc News