Me një fond të Bankës Botërore duke filluar nga ky vit, për 4 vite me radhë është parashikuar të financohen në total 52 milionë Euro për mirëmbajtjen e akseve rrugore kombëtare.

Ndërsa për mirëmbajtjen e afro 2600 km rrugë dytësore nga buxheti i shtetit do të financohen afro 3.7 miliardë Lekë. Të gjitha këto financime, kryeministri Rama thotë se do t’i shërbejnë prioritetit të vendosur nga qeveria e tij për të patur rrugë me standarte, rezultate që thotë se do të ndihen që në pranverën e këtij viti.

Kryeministri Rama: “Njëra anë janë investimet dhe tjera mirëmbajtja. T’i japim fund filozofisë së qeverive të mëparshme që vetëm të bëjmë një copë rruge, s’ka rëndësi si vazhdon”.

Kryeministri premton ristrukturim dhe të Autoritetit Rrugor Shqiptar dhe nuk kursen akuzat për ish-drejtuesin e këtij institucioni.

Pjesë e kapitullit të ri për mirëmbajtjen e rrugëve për të cilën flet kryeministri, është krijimi i ‘Flotës së Solidaritetit’, si një garanci për reagimin e shpejtë dhe efikas në çdo situatë, duke garantuar kalueshmërinë e akseve kombëtare pavarësisht motit të rënduar.

TV Klan