150 të burgosur të burgut të sigurisë së lartë në Drenovë, kanë hyrë në një greve urie pa afat. Të burgosurit që prej mbrëmjes së djeshme kanë refuzuar ushqimin duke hyre në grevë urie.

Te burgosurit i kanë paraqitur administratës së burgut dhe ministrit të Drejtësisë një kërkesë me 6 pika, nëpërmjet të cilave kërkohet ndryshimi i disa neneve të Kodit Penal.

Kërkesat e të burgosurve lidhen me ndryshimin e nenit 64 të Kodit Penal, për zbutjen e kritereve që parandalojnë dhënien e lirimit me kusht.

Sipas vlerësimit të grevistëve, të dënuarit që përfitojnë leje shpërblyese duhet të jenë automatikisht, objekt i përfitimit.

Midis të tjerash të burgosurit kërkojnë zbatimin e ligjit për dhënie amnistie për të dënuarit që u ka mbetur një vit burg pa shlyer, dhënien e lejes shpërblyese për të burgosurit që kanë kryer gjysmën e dënimit, pavarësisht dënimit që kanë marrë.

Të burgosurit e Drenovës, kërkojnë gjithashtu edhe përshpejtimin e reformës në drejtësi, pasi ata e konsiderojnë se janë viktima të një sistemi gjyqësor të korruptuar.

Grupit i janë bashkuar edhe 15 të burgosurit që janë dënuar për armëmbajtje pa leje dhe që e filluan grevën e urisë javën e kaluar. /TV KLAN