Pas më shumë se 15 orë debate, Kuvendi miratoi në parim, në orët e para të së premtes(02:40), projekt-buxhetin e shtetit për vitin 2017.

Me 82 vota pro dhe dy vota kundër deputetët e maxhorancës kaluan ligjin më të rëndësishëm të qeverisë, të cilin e konsideruan mbështetës të reformave të mëdha të vendit për vitin në vazhdim.

Opozita nuk mori pjesë në votim pasi e konsideroi buxhetin e ri varfërues për shqiptarët. Krahas pr/buxhetit deputetët miratuan dhe ligjet e paketës fiskale.

Me 80 vota pro dhe dy vota kundër u miratuan ndryshimet në ligjin “Për akcizat”, ndërsa me 82 vota pro dhe dy kundër kaluan dhe ndryshimet në ligjin “për taksat kombëtare”, ato në ligjin “Për nivelet e tarifës doganore” dhe ato në ligjin “Mbi tatimin për të ardhurat”./tvklan.al