Të paktën 17 fëmijë kanë vdekur dhe mijëra të tjerë janë infektuar prej shtatorit të vitit 2016, nga përhapja e fruthit në Rumani, ka thënë Ministria e shëndetësisë e këtij vendi.

Ministri i shëndetësisë, Florian Bodog, thotë se 3,400 njerëz janë infektuar me këtë sëmundje. Sipas tij, asnjëri prej fëmijëve, që kanë vdekur, nuk ishte i vaksinuar. Fëmija i fundit që ka vdekur ishte i moshës 1 vjeç.

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka rekomanduar dy doza të vaksinës, ndërsa njëra duhet të merret kur fëmija ta mbush një vit.

Bodog tha se vetëm 80% e rumunëve e marrin dozën e parë dhe 50% e marrin dozën e dytë. Qendra Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve ka tërhequr vërejtjen se ekziston rrezik i “lartë” që fruthi të përhapet nga Rumania në vendet fqinje./tvklan.al