Godina e ish – Hotel Dajtit do t’i kushtojë buxhetit të Bankës së Shqipërisë 18 milionë euro, sa dyfishi i vlerës që morri rindërtimi i selisë qendrore. Këto të dhëna, Televizioni Klan i ka mësuar nga burime konfidenciale, pasi Banka refuzon të publikojë fondin që do t’i jepet kompanisë që do ta ndërtojë.

Në kohën që të gjitha bankat europiane kanë ulur ndjeshëm shpenzimet e tyre për mallra të shtrenjta, Banka e Shqipërisë vendos të japë një shumë të konsiderueshme për këtë godinë, e cila po të llogaritet edhe me paratë që Dajti u ble, i kushton në total 50 milionë euro.

Shuma e ndërtimit jo vetëm që nuk është shpallur për publikun, por edhe vetë Këshilli Mbikëqyrës në vendimin që i hap rrugë prokurimit të objektit, nuk ka miratuar asnjë fond, duke i lënë pushtet të plotë mbi këto shpenzime administratës së prokurimeve.

Në vendimin e bordit drejtues të bankës të vitit 2009-të, përcaktohet qartë procedura e prokurimit të selisë qendrore, fondi dhe departamentet që do ta zbatonin. Por ndryshe nga ky vendim, ai i miratuar në vitin 2015-të, nuk mban asnjë kompetencë që duhet të ushtorjë organi më i lartë drejtues i bankës: fondin apo mënyrën se si do të zhvillohet tenderi.

Për rikonstruksionin e selisë qendrore, banka shpalli njoftimin në gazetën prestigjioze “Financial Times”, ndërsa projekti fitues u përzgjodh nga një juri ku kishte pjesëmarrës të shoqërisë civile, institucioneve shtetërore të artit, arkitektët dhe një anëtar i Bankës Qendrore Europiane.

18 milionë eurot, Banka e Shqipërisë vendos t’i shpenzojë pa dhënë asnjë detaj se cila kompani do të bëjë rikonstruktimin dhe pse oferta e saj ishte më mirë se firmat e tjera, nëse ka patur të tjera. Shifra dyfish më e lartë se ajo e selisë në qendër ngre dyshime për vlerën e vërtetë ta punimeve.

Ekspertët thonë se godina qendrore duhet të kushtojë më shumë për shkak se përveç rikonstruksionit pati edhe zgjerim të sipërfaqes të saj. Shuma po shpenzohet në kohën që transferta që Banka Qendrore çon te buxheti i shtetit ka arritur minimumin historik për shkak të rënies së fitimit që gjeneron.

Tv Klan