18 Shoqata të Biznesit i kërkojnë Presidentit të Republikës të mos dekretojë ligjin për anëtarësimin e detyrueshëm në Dhomat e Tregtisë dhe Industrisë, miratuar në 29 shtator në Parlament vetëm me votat e shumicës.

Sipas tyre, përveç mungesës së transparencës në shqyrtimin e këtij projektligji, ai bie në kundërshtim me nenin 46, pika 1 të Kushtetutës, e cila e përcakton pjesëmarrjen në shoqata dhe organizata si të drejtë të qytetarëve dhe jo si detyrim.

Në letrën drejtuar Kreut të Shtetit, hidhen dyshime mbi qëllimet e miratimit të këtij ligji, duke theksuar se Kodi Civil i Republikës së Shqipërisë përcakton se pjesëmarrja në këto organizime është mbi baza vullnetare dhe anëtarëve u garantohet e drejta e të larguarit në çdo moment.

Koha kur antarësimet në shoqata e organizata bëheshin të detyrueshme, me direktivë nga udhëheqja, i takon një tjetër faqe të historisë së Shqipërisë, faqe të cilën populli shqiptar e ktheu një herë e përgjithmonë 26 vjet më parë. Është e paimagjinueshme që sot, pas 26 vjetësh, të rikthesh dhe një herë në skenën e kujtesës popullore, imazhin e përbaltur e të fort urryer të Bashkimeve Profesionale

”, theksohet në letër.

Shoqatat e Biznesit thonë se ligji nuk qartëson se cilat do të jenë përfitimet e anëtarësimit të detyrueshëm në Dhomat e Tregtisë dhe Industrisë, të organizuara në bazë qarku dhe sqarojnë se asnjë nga shoqatat dhe organizatat që përfaqësojnë biznesin në Shqipëri, nuk i ka mbështetur ndryshimet e miratuara në këtë ligj./ TV KLAN