Pas rrëzimit të bërë nga Presidenti i vendit për ligjin që parashikon anëtarësim me detyrim të bizneseve pranë dhomave publike të tregtisë, 18 shoqata të huaja dhe vendase i janë drejtuar me një letër Kuvendit të Shqipërisë, ku i kërkojnë njëzëri që të mos e miratojnë këtë ligj.

Në letrën Drejtuar Kryetarit te Parlamentit, Ilir Meta dhe Kryetareve të Grupeve Parlamentare, 18 shoqatat kanë renditur arsyet se përse ky ligj është problematik.

Së pari sipas biznese, përbën një shkelje kushtetuese referuar nenit 46, pika 1, e cila e përcakton pjesëmarrjen në organizime shoqatash dhe organizatash si të drejtë të qytetarëve dhe jo si detyrim. 

Krijon një taksë të fshehtë për biznesin, nuk ofron asnjë qartësi në lidhje me llojin dhe cilësinë e shërbimit të Dhomës së Tregtisë apo të Bashkimit të Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë së Shqipërisë për anëtarët, që do të anëtarësohen në mënyrë të detyrueshme .

Gjithashtu nuk përcakton se çfarë pasojash ka për subjektet që nuk anëtarësohen , nuk justifikohet përfitimi i të ardhurave të dhomave që vjen nga pagesa e detyrueshme nga të gjitha subjektet.

Sipas shoqatave të biznesit çdo favorizim i dhomave të tregtisë përbën një diskriminim të shoqatave të tjera të biznesit në cënim të nenit 18 të Kushtetutës.

Sipas bizneseve çdo individ i përfshirë në një biznes apo çdo kompani duhet të gëzojë të drejtën të bëhet pjesë e çdo organizate, ku dëshiron të përfaqësohet ose mos bëhet pjesë e asnjërës prej tyre.

Letra mbyllet me thirrjen për të mos e votuar ligjin e ri të dhomave, një ligj që shumica e individëve dhe bizneseve e kundërshtojnë.

Presidenti  e rrezoi në tetor ligjin e dhomave me argumentin se është  anti-kushtetues dhe përbën një taksë të fshehte për bizneset. 

Ligji i miratuar në Kuvend përcakton se kuota e anëtarësimit vjetor për çdo person fizik që ushtron aktivitet tregtar është 1000 lek, ndërsa për personat juridik kuota është 3000 deri në 100 000 lekë./ TV KLAN