Kosova sot shënon tetëmbëdhjetë vjetorin e hyrjes së trupave të NATO-s, me çka ju dha fund luftës gati dyvjeçare. Trupat paqeruajtëse të udhëhequra nga NATO-ja, hynë në Kosovë prej nga po largoheshin trupat serbe dhe që atëherë 12 qershori i vitit 1999 cilësohet si dita e lirisë së Kosovës.

Atëbotë në Kosovë u vendosën rreth 50 mijë ushtarë, ndërsa numri i tyre është shkurtuar vit pas viti. Aktualisht në terren ndodhen rreth 5 mijë trupa, misioni i të cilëve, sipas zyrtarëve të NATO-s, ka të bëjë me një mjedis të sigurt për të gjithë dhe vendosjen e lirisë së lëvizjes.

Në Prishtinë vlerësohet se NATO-ja ka luajtur një rol të jashtëzakonshëm jo vetëm në ruajtjen e një mjedisi të sigurt por edhe rindërtimin e Kosovës e cila doli nga lufta me mbi 10 mijë të vrarë e rreth 5 mijë të zhdukur.

Në tetëmbëdhjetë vjetorin e hyrjes së trupave të NATO-s udhëheqësit politikë në Kosovë e shohin 12 qershorin si njëra nga ditët më të shënuara në kalendarin historik të Kosovës..

Ky përvjetor e gjen Kosovën në prag të ndryshimit të pushtetit pas zgjedhjeve parlamentare të së dielës. Sido që të duket qeveria e re ajo do të përballet me problemet e njëjta siç janë çështja e kufirit me Malin e Zi, që çoi edhe në rrëzimin e qeverisë, bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë që vazhdon të kundërshtojë pavarësinë e Kosovës si dhe përballjen me fillimin e funksionimit të Gjykatës së Posaçme, që do të trajtojë pretendimet për krime lufte.

Tetëmbëdhjetë pas luftës, Kosova mbetet vendi i vetëm në rajonin e Evropës Juglindore që ka mbetur jashtë regjimit të udhëtimit pa viza në vendet e zonës Shengen dhe e fundit në proceset integruese./VOA