FMN riktheu në fokus të kritikave të saj detyrimet e prapambetura ndaj biznesit. Nga një vëzhgim i bërë, borxhi që qeveria shqiptare ka krijuar gjatë vitit 2016, arrin në 2.3 miliardë lekë.

Burime zyrtare nga Ministria e Financave thonë se nga kjo shumë, 1.1 miliardë, u përkasin vendimeve gjyqësore ndërsa 1.2 miliardë lekë janë krijuar nga shpenzimet aktuale për investime të ndryshme publike, të cilat sipas Financave, avancojnë më shumë se planifikimi fillestar.

Vonesat për shlyerjen e këtyre detyrimeve, sipas Ministrisë së Financave nuk janë afatgjata dhe pjesa e faturave të prapambetura për investimet publike, pritet të kryhet para ardhjes së radhës së FMN në Shqipëri, në Shtator.

Ndërsa për vendimet gjyqësore, detyrimet pritet të shlyhen me buxhetin e vitit të ardhshëm. Sipas të dhënave të Financave, detyrime të prapambetura u krijuan edhe në vitet 2014 dhe 2015, por ato janë shlyer.

FMN i bëri thirrje qeverisë që të rrisë përpjekjet për të parandaluar grumbullimin e detyrimeve të reja të prapambetura.

Sipas të dhënave nga Ministria e Financave, qeveria ka shlyer edhe të gjithë shumën e detyrimeve që i përkisnin periudhës para vitit 2013, të cilat sipas saj, kapin shifrën 72 miliardë lekëve.

Tv Klan