Rreth 2 mijë efektivë policie do të angazhohen për të siguruar mbarëvajtjen e protestës së opozitës paraditen e së shtunës. 500 prej tyre do të jenë efektivë të njësive speciale të RENEA-s dhe Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë. Plani i vendosjes është i njëjtë me atë të protestave mëparshme. Efektivë të Policisë së Tiranës pritet të jenë të vendosur përpara Ministrisë së Brendshme, Kryeministrisë dhe në sheshin para ish-Piramidës.

Si kordon i dytë dhe në ambientet e brendshme, pritet të stacionohen efektivë të Gardës së Republikës. Në një njoftim të saj zyrtar, Policia e Shtetit thekson se nuk do të tolerojë veprime që cënojnë rendin dhe sigurinë gjatë protestës. Tubimi pritet të monitorohet edhe nga shërbimet e misioneve që mbështesin dhe ndihmojnë Policinë e Shtetit.

Mjetet e blinduara do të qëndrojnë në bulevardin “Papa Gjon Pali”, pas Kryeministrisë. Qarkullimi në këto akse do të bllokohet që prej të premtes në mbrëmje. Po ashtu nuk do të lejohet qarkullimi në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe rrugën “Ismail Qemali” prej orës 7 të së shtunës deri në përfundim të protestës.

Parashikohen edhe ndryshme në itinerarin e linjave urbane. Nuk do të lejohet futja në Tiranë e autobusëve me protestuesit që do të vijnë nga rrethet. Policia do të qëndrojë në gadishmëri prej mesnatës së të premtes.

Tv Klan