Si askund në botë, pas dashurisë së fundit, Rama dhe Basha, mbrëmë vendosën t’u fusin duart në xhep edhe të gjithë televizioneve private. Me një ligj në kohë rekord, pa asnjë diskutim, konsultim apo dëgjesë, që brenda 2 orëve e shkruajtën, e miratuan në komision, e miratuan në Kuvend, e firmosën  te Presidenti dhe e botuan në fletore zyrtare brenda natës.

Me arrogancën e të fortit, miratuan një ligj ku në shkelje flagrante të Kushtetutës, detyrojnë biznesin privat mediatik t’u bëjnë shërbim falas këtyre partive. Nuk është pare e as dëgjuar, absolutisht në asnjë vend të botës, që një biznesi privat t’i merret një shërbim falas me ligj. Për më tepër ky shërbim falas kërkohet në favor të disa partive politike dhe jo të një interesi publik të qytetareve.

Me ligjin e djeshëm PS-PD kanë krijuar precedentin e shpronësimit për interes partiak.

Njihet kudo në botë e drejta e shtetit për shpronësim publik, pra shteti mund të ta marrë pronën për të ndërtuar një rrugë, një shkollë, një spital, por edhe në këto raste kundrejt një shpërblimi të drejte, thotë Kushtetuta.

Por shpronësim për interesa të financave partiake dhe pa shpërblim, nuk kishim parë e dëgjuar. 

Kjo grabitje me ligj ndodhi sepse opozita është e shqetësuar se lekët e hashashit i ka marrë vetëm Partia Socialiste dhe në këto kushte ajo ka më shumë lekë se Partia Demokratike për të bërë reklama.

Dhe meqenëse janë në muajin e mjaltit, PS nuk mund t’i thoshte Jo PD-së, duke pranuar me votë të shkelin çdo normë kushtetuese e të drejtë pronësie, për të marrë me ligj shërbime falas nga pronat private. 

A kishte të drejtë Partia Demokratike të shqetësohej nga lekët e hashashit të Partisë Socialiste? Po, themi PO. Dhe për të zgjidhur këtë problem, dje, nga ana e përfaqësuesve te mediave iu dërgua propozimi që reklamat e partive gjatë fushatës elektorale, për të garantuar barazi mes palëve politike, të paguheshin nga Komisioni Qendror i zgjedhjeve. Edhe konkurrenca e pandershme nga paratë e hashashit eliminohej, edhe transparenca e numrit te spoteve dhe e pagesave ishte më e madhe, por edhe nuk grabiteshin mediat private me dhunën e kartonave të këtyre dy partive. Absurdi qëndron edhe në faktin që këto parti kanë marrë qindra milion lekë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për këtë fushatë dhe përveç tyre duan që edhe shërbimet t’u bëhen falas. Veç reklamave falas, dje në projekligj parashikohej që edhe kompanitë e karburanteve do të detyroheshin t’u jepnin mijëra litra naftë falas partive gjatë fushatës, por një lobim i fortë i tyre arriti ta heqë nga projektligji.

Veç shkeljes së Kushtetutës, me ndryshimin e djeshëm të ligjit për partitë politike, PS dhe PD kanë shkelur dhe Kodin Zgjedhor, i cili ka tjetër parashikim ligjor për reklamat në fushatë. Edhe pse u vunë në dijeni të këtij karamboli ligjor, nga dashuria e madhe mes tyre dhe arroganca e numrave në parlament, votuan një ligj të thjeshtë që bie ndesh me Kodin Zgjedhor, i cili në ditët e fushatës elektorale prevalon mbi ligjet e tjera. Pra Kodi Zgjedhor në fuqi dhe i pa ndryshuar thotë që reklamat paguhen, ndërsa ligji i mbrëmshëm thotë i marrin falas.

Sipas juristëve më të mirë, mediat si dhe partitë politike gjatë fushatës zgjedhore detyrohen të zbatojnë Kodin Zgjedhor.

Dhe radiotelevizionet njëzëri kanë pranuar të zbatojnë kërkesat e Kodit Zgjedhor në fuqi, duke ua bërë të pavlefshëm ligjin e dashurisë antimediatike të PS-PD.

Redaksionale Televizioni Klan