Në kampionatin kinez nuk po kursehen paratë dhe kjo tashmë dihet, por këtë herë çmenduria e fundit nuk është bërë për t’i zhvatur ndonjë futbollist klasi ekipeve evropiane.

“Hebei China Fortune”, skuadra që para pak kohësh bleu Ezequiel Lavezzi, ka shpenzuar 20 milionë euro për të blerë futbollistin Zhang Chengdong nga ekipi i superligës kineze Beijing Guoan. Kjo është shifra rekord sa i përket futbollistëve kinezë.

Zhang është një futbollit me eksperiencë edhe në ekipet evropiane. Profesionalisht është tejet i aftë pasi arrin të mbulojë shumë role edhe pse është një sulmues i mirëfilltë.

Cudia e shifrës 20 milionë bëhet më e madhe pasi si sulmues, Zhang nuk ka shënuar që prej 3 vitesh, saktësisht goli i tij i fundit ishte me 17 maj të 2014. Por ndoshta ky është konsideruar një detaj i vogël për Hebei China Fortunë që nuk hezitoi të shpenzonte 20 milionë euro për të.

Para se të kthehej përfundimisht në Kinë, Zhang provoi fatin në europë, si në disa klube portugeze, në gjermani dhe tek Rayo Vallecano në Spanjë./ TV KLAN