Policia spanjolle njoftoi sot shkatërrimin e një rrjeti gjigant të trafikimit të armëve. Në këtë megaoperacion janë sekuestruar plot 664 armë dhe kanë rënë në pranga 245 persona, në 11 vende europiane.

Në një deklaratë për shtyp, autoritetet spanjolle thanë të hënën se vetëm në Spanjë janë arrestuar 46 persona dhe janë sekuestruar 247 armë, si pjesë e një operacioni të ndërmarrë përgjatë muajve të fundit të vitit të shkuar.

Policia tha se kokat e këtij rrjeti ishin 4 spanjollë, të cilët blinin replika armësh në Romani dhe Bullgari dhe i kthenin ato në armë zjarri reale në një punishte në Spanjë, përpara se t’i shisnin në tregun e zi.

Policia tha se janë sekuestruar rreth 34 mijë fishekë, granata dore dhe silenciatorë.

Operacioni u mbështet nga Europol, ndërsa arrestimet u kryen në Belgjikë, Britani, Bullgari, Qipro, Finlandë, Greqi, Hollandë, Poloni, Rumani e Suedi./tvklan.al