7 vjet më parë në Botërorin e Afrikës, 25 futbollistë u lejuan të luajnë edhe pse nga agjencia antidoping u gjet se kishin përdorur substanca të ndaluara.

“Fancy Bear”, një agjenci ruse e spiunazhit elektronik, ka publikuar këtë dokument që mban datën 13 Qershor të vitit 2010, me emrat e futbollistëve në fjalë.

Thuhet se hackerat rus kanë lidhje me agjencitë e inteligjencës së këtij shteti. Ata aludojnë për një mashtrim, kur thonë se po përgënjeshtrojnë futbollistë dhe zyrtarë që deklarojnë se futbolli mbahet larg dopingut.

Diego Milito, Carlos Tevez, Juan Sebastian Veron, Walter Samuel janë argjentinasit e gjetur me doping, por që më parë kishin deklaruar se kishin marrë mjekim për arsye kurative.

Siç shihet krahas substancës së ndaluar, të gjetur në urinën e tyre, shkruhet me akronim se substancat janë përdorur për qëllime terapeutike, ashtu siç e kanë deklaruar vetë më parë.

Futbollistë të tjerë të gjetur me substanca të ndaluara janë edhe Mario Gomez i Gjermanisë apo Dirk Kuyt i Holandës. Nuk kanë shpëtuar as italianët Iaquinta dhe Camoranesi.

Lajmi është publikuar si i bujshëm në mediat mbarë botërore, por për agjencinë botërore të antidopingut, WADA, asnjë prej lojtarëve nuk ka vepruar në mënyrë të paligjshme, teksa kanë deklaruar çdo substancë të marrë.

TV KLAN