Pas shumë vitesh në krizë, INSTAT raporton se sektori i cili pritet të ketë investimet më të mëdha për 2017-ën është ai i ndërtimit. Për 6 muajt e parë të vitit, kjo lloj dege ka miratuar projekte të cilat kanë marrë edhe lejen e ndërtimit, në vlerën e 250 milion dollarëve. Vlera monetare është 3 fishuar krahasuar me një vit më parë. Në të njëjtën periudhë në 2016-ën, vlera e projekteve të ndërtimit ishte 82 milion dollarë.

Punimet inxhinierike të kontratave shtetërore për rrugë, linja elektrike dhe ujësjellësat zenë peshën më të madhe të ndërtimit, të ndjekura nga godinat e banimit. Rritje të madhe për këtë vit kanë pësuar edhe projektet për hotele dhe qendra tregtare.

Instituti i Statistikave ka evidentuar se nga Janari deri në Qershor janë dhënë 298 leje ndërtimi, duke shënuar një “boom” në këtë sektor. Vetëm në gjysmën e këtij viti, llogaritet që në bazë të lejeve të ndërtimit të dhëna të ndërtohen 320 mijë metra katrorë sipërfaqe.

Tirana mban numrin më të lartë të sipërfaqeve që do të ndërtohen, lejet e ndërtimit në kryeqytet kanë pësuar një rritje të fortë në nivelin 180 %. një vit më parë numri i lejeve të dhëna në kryeqytet ishte 36, ndërsa tani është 102. Vendin e dytë për lejet e dhëna e zë Fieri, i cili pasohet nga Vlora e Durrësi.

Tv Klan