Shqiptarët gjithnjë e më shumë po i mbajnë paratë jashtë kanaleve bankare. Të dhënat e fundit të publikuara nga Banka e Shqipërisë tregojnë se në muajin gusht, paraja që qarkulloi jashtë sistemit bankar arriti në 255,5 miliardë lekë, duke u rritur me 6.1 mld lekë krahasuar me fundin e vitit 2016.

Në muajin gusht paraja që qarkullon në rrugë të tjera jashtë sistemit bankar arriti në 20.4% të totalit të parasë që qarkullon në vend. Ky është edhe niveli më i lartë që nga 2010.

Shqipëria ka një nivel tepër të lartë të parasë që qarkullon jashtë bankave, krahasuar me vendet e Eurozonës, apo edhe të rajonit. Në Eurozonë, sipas të dhënave nga Banka Qendrore Europiane, niveli i parasë në alternative të tjera ishte sa 9.2% e totalit, ndërsa në Shqipëri është 20. 4 % e totalit.

Të kontaktuar nga Klan Plus ekspertët thonë se kjo vjen për shkak te normave të ulëta të interesit të depozitave, për faktin se shumë biznese duan t’i shmangen taksave dhe përmes kësaj mënyre qarkullojnë paratë e përfituara nga aktivitete kriminale.

Rritja e parasë që qarkullon jashtë bankave do të thotë pamundësi monitorimi për origjinën.  Kjo çon edhe në kryerjen e transaksioneve monetarë pa kontrata çka bën që shumë qytetarë të bien pre e mashtrimeve.

Burimi: Klan Plus

Gazetare: O. Maloku