Rreth 27 500 shqiptarë kërkuan azil në vendet e Bashkimit Europian gjatë 2017-ës. Një shifër që tregon një fluks të lartë të shqiptarëve që vijojnë të braktisin vendin në kërkim të një jetë më të mirë në vendet europiane. Referuar një shkrimi të mediat gjermane Dojçe Vele, Gjermania ishte një prej vendeve më të preferuara nga shqiptarët për të kërkuar azil përgjatë këtij viti me rreth 15 500 kërkesa. Gjermania ndiqet nga Franca me gati 8 900 kërkesa dhe Holanda me rreth 1500.

Krahasuar me vitin 2016, numri i shqiptarëve që kërkuan azil në vendet e Bashkimit Europian pati një rënie tepër të lehtë me rreth 5%. Por shifrat gjithsesi vijojnë të jenë të larta megjithë përpjekjet e qeverisë shqiptare për të ulur fluksin. Fluksi vijon pavarësisht se Brukseli e ka bërë të qartë se shqiptarët nuk kanë të drejtë të kërkojnë azil në shtetet e unionit.

Shqipëria është prej 2015-ës ndër vendet e sigurta të origjinës, ku bën pjesë i gjithë Ballkani Perëndimor. Kërkesat për azil nga këto vende demokratike e të qëndrueshme politikisht refuzohen në 99% të rasteve. Ndërsa arsyet pse shqiptarët largohen nga vendi janë përgjithësisht ekonomike.

Tv Klan