Pronari i një shtëpie në Ksamil të Sarandës ka rënë pre e grabitësve, orët e para të mëngjesit të së premtes.

Ishte ora rreth 07:30 minuta, ku tre persona të maskuar dhe të armatosur me armë zjarri shkuan në shtëpinë e 24-vjeçarit Petro Lulo.

Grabitësit fillimisht e kanë rrahur dhe e kanë goditur me qytën e armës Lulon dhe më pas e kanë lidhur. Pas kësaj, ata i kanë marrë çelësat e banesës tre katëshe, e cila përdoret si shtëpi pushimi gjatë sezonit veror dhe kanë hyrë për të vjedhur.

Policia thotë se autorët kanë marrë një sasi prej 700 eurosh në shtëpinë e 24-vjeçarit, si dhe makinën “Benz”, me targa AA 322 DP dhe më pas janë larguar.

I plagosuri u dërgua fillimisht në spital për ndihmë mjekësore, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën. 

Autoritetet kanë ngritur pika kontrolli me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorëve, ndërsa grupi hetimor ka nisur punën për zbardhjen e plotë të ngjarjes. Hetuesit kanë marrë dëshmitë e disa personave, ndërsa disa të tjerë janë shoqëruar për t’u verifikuar.

/tvklan.al