maqedonia

Gazeta kosovare “Koha Ditore” shkruan për një komplot të organizuar për ngjarjet e Kumanovës në Maqedoni në këmbim të mbi 2 milionë eurove. Ajo u referohet disa informacioneve të Agjencisë Kosovare e Inteligjencës (AKI) dhe Policisë e Kosovës.

Sipas këtyre informacioneve, Shërbimet Sekrete të Kosovës kanë siguruar dëshmi se katër persona nga grupi i Kumanovës, tre kosovarë dhe një maqedonas me inicialet SH.M ishin bashkëpunëtorë të Drejtorisë të Sigurisë dhe Kundër Inteligjencës të Maqedonisë.

Në dokumentat e Agjencisë Kosovare të Inteligjencës thuhet ata kishin përgatitur planin e incidenteve në Kumanovë. Takimet e maqedonasit SH.M për të organizuar këtë komplot janë zhvilluar disa herë në Prishtinë dhe në Ferizaj.

Megjithëse arsyet e përfshirjes së Shërbimit Maqedonas të Zbulimit nuk janë mësuar ende, mbeten supozimet se gjithçka është organizuar për ruajtjen e pushtetit të Kryeministrit Nikolla Gruevskit, pas publikimit të skandalit të përgjimeve.

Duke iu referuar dokumentëve të Agjencisë Kosovare të Inteligjencës nënvizohet se dy ish – komandantët e UÇK -së, Beg Rizaj dhe Mirsad Ndrecaj, të vrare në Kumanovë, drejtues të grupit prej 44 personash që u sulmuan nga Forcat Maqedonase të Sigurisë, kishin planifikuar edhe mësymjen në Burgun e Sigurisë së Lartë në Gërdorfc të Podujevës.

Ata kërkonin të lironin prej këtij burgu, dy personat më të rrezikshëm në Kosovë me inicialet B.K dhe BB, që vuanin dënime për krime të rënda, përfshi edhe vrasje.

Zbulimi i këtij plani u bë i mundur nga hetimet e nisura prej vitit 2013 nga Agjencia Kosovare e Inteligjencës dhe Policia e Kosovës. Gjatë kësaj kohë u zbulua edhe për incidentet që po planifikoheshin në Maqedoni, që nuk do të shkaktonin viktima, por thjeshtë do të përsërisnin ngjarjen e Gushincës në Kumanovë.

Këto dyshime për organizim të ngjarjes së Kumanovës hidhen në një kohë kur qeveria Maqedonase nuk ka dhënë ende një version zyrtar dhe kur komuniteti ndërkombëtar po ushtron presion ndaj Gruevskit për një hetim transparent dhe të shpejtë.

Tv Klan