C_4_articolo_2146786_upiImagepp

Në një operacion anti-terrorizëm të policisë italiane dhe asaj të Kosovës përfunduan në pranga katër kosovarë, pjesë e një grupi terrorist, i cili përdorte median sociale për të propaganduar ideologjinë xhihadiste.

I koduar, “Van Dam”, operacioni u zhvillua në Breshia, Vincenca dhe Peruxhia dhe në një fshat të Hanit të Elezit në Kosovë.

Tre persona u arrestuan në Itali dhe një në Kosovë. Përmes mesazheve online ata kishin kërcënuar Papa Franceskun, ish-ambasadoren amerikane në Prishtinë Trejsi Xhekobson dhe lavdëronin sulmet terroriste në Paris.

Pamjet e bëra publike nga policia italiane tregojnë momentin kur 3 nga të arrestuarit shoqërohen në rajon me duar në pranga dhe të maskuar.

Personi që konsiderohej si “truri” i këtij grupi të radikalizuar, i cili për disa vite kishte jetuar në Itali, u arrestua në një fshat të Hanit të Elezit. Duke iu referuar komunikatës për shtyp të policisë së Kosovës, personi i arrestuar mban inicialet S.I, ndërsa disa media në Kosovë e bënë publik emrin e tij. Ai është 48 vjecari Samet Imishti.

Sipas policisë, në banesën e tij u sekuestruan në cilësinë e provës materiale dy armë zjarri, një revole dhe një pushkë e tipit karabinë, disa pajisje elektronike dhe sende të tjera.

Bëhet fjalë për persona të rrezikshëm, të lidhur me terrorizmin, përmes propagandës, rekrutimit dhe financimit të Shtetit Islamik. Krimet e kryera janë “terrorizëm” dhe “nxitje e urrjetjes racore”.

Tv Klan