Një operacion i Antiterrorit i shtrirë në 4 qytete, Tiranë, Shkodër, Elbasan dhe Dibër vuri në pranga 4 persona dhe shoqëroi 16 të tjerë, të dyshuar si bashkëpunëtorë të Shtetit Islamik.

Dy prej të ndaluarve janë me banim në Shkodër, njëri jetonte në Tiranë, ndërsa tjetri në Dibër. Nga të shoqëruarit 11 janë shtetas shqiptarë, ndërsa 5 shtetas të huaj.

Sipas policisë këta persona në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe shtetas të tjerë jashtë vendit, propagandonin nxitjen e urrejtjes fetare, rekrutonin persona për të shkuar në Siri, mbështesinn me logjistikë e financime këtë organizatë terroriste, si dhe mund të udhëtonin në zonat e konfliktit në vendet e Lindjes së Mesme.

Kreu i grupit dyshohet se është 30 – vjeçari Ergys Faslia, lindur e banues në Shkodër, i cili mendohet se koordinonte lidhjet me ISIS.

Ergys Faslia

Ergys Faslia

Ai mësohet se punonte si berber në Shkodër, ndërsa një prej të ndaluarve të tjerë Bekim Protopapa, 30 – vjeç punonte si mjek në Malësinë e Madhe.

Të ndaluarit e tjerë janë personat me iniciale Xh. F, 34 vjeç dhe M. H, 46 vjeç. Hetimet për aktivitetin e këtij grupi të dyshuar për lidhje me shtetin Islamik po ndiqen nga Prokuroria e Krimeve të rënda.

Në këtë operacion seksioni i specializuar në luftën kundër terrorizmit në Policinë Shqiptare bashkëpunoi ngushtë me autoritetet në Kosovë dhe Maqedoni. Në Kosovë u vune në pranga 7 persona të dyshuar si të përfshirë në vepra terroriste.

Aksioni anti-terrorizëm u zhvillua në tre qytete, Prishtinë, Mitrovicë dhe Ferizaj. Të arrestuarve iu gjetën pajisje dhe materiale të tjera që lidhen me akuzat për terrorizëm.

Arrestime të personave me aktivitet të dyshimitë ka patur edhe Maqedoni në kuadër të operacionit rajonal dhe luftës kundër terrorizmit.

Tv Klan