Gjykata e Pogradecit ka vendosur të lërë në burg për 40 ditë, Romario Muçkën, pronarin e lokalit në Beragozhdë, ku shpërthimi i një bomble gazi la të plagosur 31 persona.

Prokuroria kërkoi nga gjykata të vlerësojë si të ligjshëm arrestimin në flagrancë të Muçkës dhe caktimin si masë sigurimi atë të arrestit me burg, me një afat të caktuar.

Gjatë këtij harku kohor, ekspertët duhet të vënë në dispozicion të prokurorisë raportin përfundimtar të ekspertmit të kushteve teknike të bomlës, e cila shkaktoi shpërthimin.

Mbrojtja e 20 – vjeçarit e konsideroi kërkesën e prokurorisë të pajustifikuar dhe të pa mbështetur në ligj. Pas shqyrtimit të provave gjykata pranoi kërkesën e prokurorisë.

Mbi të riun rëndon akuza e “shkeljes së rregullave mbi lëndët plasëse, djegëse dhe radioaktive,e cila parashikon dënim deri në dhjetë vite burg. Përveç kësaj vepre, policia e Korçës e akuzoi 20- vjeçarin edhe për plagosje të rëndë nga pakujdesia, akuzë, e cila u pushua nga prokuroria e Pogradecit.

Ngjarja ndodhi pasditen e 1 shkurtit në lokalin e fshatit Beragozhd ku për shkak të shpërthimit të bombulës së gazit që përdorej në kuzhinë u plagosën të gjithë klientet që ndodheshin aty.

Tv Klan