Pesë gjyqtarë të Gjykatës së Apelit në Shkodër do të gjykojnë pranë Apelit të Krimeve të Rënda dosjen e Dritan Dajtit, të dënuarit me burg per jetë për vrasjen e 4 efektiveve të policisë.

Dosja është kthyer për rishqyrtim në Apel me vendim të Gjykatës së Lartë. Por asnjë nga gjyqtaret e Apelit të Krimeve të Renda nuk mundet ta gjykoje atë, pasi ata ishin konsumuar në shqyrtimin e çështjes së Dritan Dajtit.

Për këtë arsye, Këshilli i Lartë i Drejtësisë ia delegoi atë Gjykatës se Apelit në Shkodër, e cila me pas me short përzgjodhi gjyqtaren Marjana Raboshta, si kryesuese dhe si anëtarë gjyqtaret: Hajrie Muçmata, Aleks Nikolla, Luan Dervishi dhe Selman Kryeziu.

Në korrik të vitit 2014 Dritan Dajti u dënua me burg përjetë. Por dy vjet me vonë Gjykata e Lartë e prishi vendimin dhe e ktheu çështjen për rigjykim.

Dritan Dajti u arrestua ne 9 gusht te vitit 2009, pasi vrau 4 efektive të Grupit te Operacioneve Speciale në Policinë e Shtetit, gjate një aksioni për kapjen e tij në plazhin e Durrësit.

Për 5 vjet me radhe me qindra seanca gjyqësore dështuan, pasi asnjë prej avokatëve të caktuar kryesisht nga gjykata, nuk kishin pranuar të merrnin përsipër mbrojtjen e Dajtit. / TV KLAN