Fëmijët e fshatit Parret, Baldushk janë të detyruar të bëjnë çdo ditë disa orë rrugë në këmbë për të shkuar në shkollë. Zgjohen në 5-6 të mëngjesit, ecin një orë e gjysmë për të mbërritur furgonin e udhëtojnë 1 orë me të, që më pas të ulen në bankat e shkollës, si çdo fëmijë tjetër. Prindërit kërkojnë thjeshtë një mjet transporti për të çuar fëmijët në shkollë, pasi furgoni i merr në rrugën me asfalt.

Ledjana Harizi, drejtore e shkollës “Fehti Vogli” thotë se konflikti me shoqërinë e transportit ka bërë që nxënësit të mos e arrijnë kurrë orën e parë të mësimit. Ajo thotë se është e detyruar t’i pranojë nxënësit, pavarësisht vonesës. Problemi është ngritur disa herë pranë njësisë administrative, por deri tani nuk është gjetur asnjë zgjidhje.

“Është e lodhshme shumë. Ngrihemi në mëngjes herët, shkojmë në shkollë, mësojmë, vijmë pastaj dhe është shumë vonë për të bërë detyrat, por ne mundohemi sa më shumë.”

Familja Metalliu i është drejtuar emisionit “STOP” për të kërkuar ndihmë për transportin e fëmijëve, sepse shkolla ndodhet shumë larg dhe janë të detyruar të ecin gjatë në këmbë, pasi furgoni i merr shumë larg shtëpisë.

“Jam ende i vogël është e lodhshme. Për te shkolla nuk na shkon shumë rruga, një orë. Nuk ka furgona, është baltë, shi, diell, borë duhet të shkoj në shkollë. Nesër shpresoj që të mos jetë shi që të shkoj më herët”,

shprehet djali i vogël i kësaj familjeje.

30 fëmijë nga fshati i Baldushkut zgjohen në 5-6 të mëngjesit dhe përshkojnë rreth 20 kilometra për të shkuar në shkollë, duke ecur në këmbë për rreth 1 orë e gjysmë dhe 1 orë me furgon.

Prindërit e nxënësve të shkollës kërkojnë një mjet transport për fëmijët e tyre, pasi  po përshkojnë rreth 5 orë  rrugë në këmbë çdo ditë.

“Ky 5 vjeç të shkojë 1 orë në këmbë… 1 orë dua unë, por ky do më shumë, 2 orë!”

Një prej tyre shprehet që transporti për nxënësit e 9 – vjeçares kushton 1000 lekë të reja, ndërsa për ata të gjimnazit nuk ka pagesë. Ai rrëfen se furgoni nuk ka dokumentet përkatëse dhe se këtë shqetësim ia ka transmetuar edhe kompanisë së autobuzave.

“Personalisht ia kam thënë atë ditë që kanë zbritur fëmijët në rrugë. Përgjigjia ishte ‘silli me çfarë të duash deri këtu’.”

Shoferi i furgonit tregon se i janë drejtuar edhe Bashkisë, por nuk kanë i pranuar. Ndaj janë detyruar t’i shkruajnë letra Ministres së Arsimit, Lindita Nikollës, Kryebashkiakut Erion Veliaj dhe Kryeministrit Edi Rama.

Gazetarja e emisionit “STOP” iu bashkua këtyre fëmijëve dhe udhëtoi me ta për të shkuar në shkollën “Fehti Vogli” për të biseduar me drejtoreshën e saj. Ledjana Harizi shprehet se transporti është një problem që nuk dinë si t’i japin zgjidhje, pasi ndikon shumë në procesin mësimor.

“Realisht, orën e parë nuk e arrijnë që prej momentit që nisi problemi mes transportit. Më përpara ishin korrektë, ndërsa që nga data 11 Shtator deri më sot këto nxënës kanë probleme në orën e parë dhe në largim nga ambientet e shkollës.”/tvklan.al