greqi-turizmi

Turizmi në Greqi po merr një goditje të fortë, në zemër të sezonit. Statistikat tregojnë se çdo ditë, rreth 50 mijë turistë anullojnë pushimet e tyre në këtë vend. Shqetësimi kryesor për ta është vendosja e kontrollit mbi kapitalin. Në bankomate nuk ka para. Limiti i tërheqjes së parave ka boshatisur edhe raftet e supermarketeve, pronarët e të cilëve e kanë të vështirë t’i rimbushin me të njëjtat ritme që ato zbrazen.

Rebekah Clark – Turiste amerikane: “U përpoqëm të mos u vinim veshin atyre çfarë thuheshin për Greqinë në lajme, por e kishim gabim”.

Torbjorn Biding – Turist suedez: “Provuam të paguanim me karta kur shkuam në restorant, por ishte e pamundur. Gjithsesi ishim të përgatitur që para se të vinim. Kemi lexuar ato që shkruanin gazetat në Suedi, ndaj dhe morëm mjaftueshëm para me vete”.

Këtë situatë e pranon edhe Kreu i Dhomës Greke të Tregëtisë.

Constantine Michalos – Kreu i Dhomës Greke të Tregëtisë: “Deri më tani ka patur shumë anullime, nga turistë që kishin planifikuar të vizitonin Greqinë. Kjo nuk më pëlqen, por i kuptoj shqetësimet e tyre. Vendosja e kontrollit të kapitalit në zemër të sezonit turistik është politikisht kriminale”.

Shqetësimin e shprehin edhe drejtuesit e bizneseve në zonat turistike. Në shumë raste ata nuk kanë para as për t’u kthyer kusurin atyre që paguajnë me para në dorë.

Gary Brown – Menaxhere hoteli: “Është një situatë shumë e keqe. Nuk po punojmë me kapacitet të plotë. Kemi reduktuar personelin sepse nuk kemi mundësi t’i paguajmë”.

Nectarios Gkaris – Shitës Frutash: Kjo është situata më e keqe në 5 vitet e fundit. E shoh këtë edhe tek turistët që kanë shtrënguar xhepat. Ne duam të dimë se çfarë do të ndodhë tani”.

Se çfarë do të ndodhë, është sërish në duart e grekëve, të cilët të dielën do të votojnë “Pro” ose “Kundër” marrëveshjes me kreditorët e huaj, që deri tani kanë financuar borxhin e Greqisë.

Tv Klan